Kronikë
Procesi në Apel: Hysri Selimi mohon akuzat për BIA-n dhe pretendon se ka punuar për AKI-në
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata e Apelit ka mbajtur të mërkurën seancën për shqyrtimin e ankesave lidhur me rastin e Hysri Selimit, i cili më parë ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë vjet burgim nën akuzat për spiunazh. Gjatë seancës, ndërsa organi i akuzës kërkoi shtim të dënimit, vetë i pandehuri ktheu përgjigje se është tërësisht i pafajshëm.
“Jam plotësisht i pafajshëm dhe kërkoj vendim të drejtë, të zbardhet e vërteta. Asgjë s’kërkoj, vetëm të zbardhet e vërteta. Unë dëshmoj edhe e kam dëshmu, e kam thënë gjithmonë të vërtetën se kam punu për shtetin tem, për institucionin tem- për AKI-në, me vullnet e dëshirë. Pa interes”, u shpreh Selimi, duke insistuar se çdo veprim i tij është ndërmarrë në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 qershor 2026, e shpalli fajtor Selimin për veprën penale të spiunazhit, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim. Kundër këtij vendimi ankesa paraqitën Prokuroria Speciale, e cila kërkoi masë më të rëndë ndëshkimore, si dhe pala mbrojtëse, që kërkoi lirim nga akuza ose kthim të çështjes në rigjykim.
Në të njëjtën linjë, Prokuroria e Apelit ka dorëzuar parashtresë për miratimin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokurorja e Apelit, Sebahate Hoxha-Pepaj, argumentoi se Selimit duhet t'i shqiptohet një dënim më i ashpër, duke theksuar se vepra penale është kryer në vazhdimësi dhe ka shkaktuar dëme të rënda për shtetin.
Në anën tjetër, avokati mbrojtës Ali Beka ritheksoi se i mbrojturi i tij ka qenë gjatë gjithë kohës në bashkëpunim me AKI-në, për çka mbrojtja ka paraqitur edhe propozime për dëshmitarë. Trupi gjykues i Apelit përbëhet nga Albina Shabani-Rama si kryetare, Kreshnik Radoniqi në cilësinë e gjyqtarit referues dhe Avni Mehmeti si anëtar.
Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave, kryetarja e trupit gjykues, Shabani-Rama, njoftoi se palët ndërgjyqëse do të njoftohen me vendimin përfundimtar brenda afateve ligjore. Në seancën fillestare të mbajtur më 23 shtator 2025, Hysri Selimi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 9 shtator 2025, Hysri Selimi akuzohet se prej muajit nëntor 2009 e deri në ditën e arrestimit të tij më 6 maj 2025, është rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). Ai dyshohet se ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme këtë shërbim përmes mbledhjes dhe transmetimit të të dhënave që lidhen me veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet e kryera gjatë luftës, si dhe personat e radikalizuar e numrin e tyre në luftën në Siri.
Më tej, aktakuza shfaq pretendimin se i pandehuri, me kërkesë dhe udhëzim të zyrtarëve të BIA-s — të cilët thuhet se e kishin pajisur me telefona të mençur, fonde financiare dhe premtimin për blerjen e një shtëpie — më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar drejt Sirisë përmes aeroportit të Stambollit, në kuadër të një misioni të caktuar nga ky shërbim.
Dokumenti i akuzës shton se, pas bashkimit fillestar me organizatën terroriste ISIS, Selimi ka dërguar informacione te zyrtarët e BIA-s për praninë e shqiptarëve në radhët e ISIS-it, strukturimin dhe zonat e tyre të operimit në Siri.
Së fundmi, aktakuza bën të ditur se pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit me burg për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi ka vazhduar takimet me zyrtarë të lartë të BIA-s, konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit dhe një zyrtar tjetër në qytete serbe si Vranjë, Nish dhe Bujanoc, të cilëve u ka dorëzuar raporte mbi personat e radikalizuar, përhapjen e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, si dhe numrin dhe funksionimin e objekteve fetare të tipit “Mesxhide”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: