Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Humbje e rëndë për sportin: Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-volejbollistja e njohur Stefania Corna

Redaksia Lajmetereja • 07-10-2026 12:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Humbje e rëndë për sportin: Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-volejbollistja e njohur Stefania Corna
Komuniteti i volejbollit është zhytur në pikëllim të thellë pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-sportistes italiane Stefania Corna, e cila u shuajt në moshën 35-vjeçare. Ajo nuk ka mundur të fitojë betejën e gjatë dhe të mundimshme me një sëmundje të rëndë, me të cilën u përball deri në momentet e fundit me forcë dhe guxim të jashtëzakonshëm. E njohur për rolin e saj si pasuese, Corna i hodhi hapat e parë në këtë sport pranë akademisë së klubit prestigjioz Foppapedretti Bergamo. Gjatë rrugëtimit të saj sportiv, ajo la gjurmë në disa skuadra të njohura. Gjatë edicionit 2011/12, ajo arriti ngjitjen në Serinë A1 me fanellën e Giavenos, për t'u transferuar më pas te Pomi Casalmaggiore. Ajo ka djersitur fanellat e klubeve si Montichiari dhe Scandicci, ndërsa ka provuar edhe eksperienca ndërkombëtare jashtë kufijve të Italisë, duke u aktivizuar për Kanti Schaffhausen në Zvicër dhe Carthage në Tunizi. Pas rikthimit në vendlindje, ajo shkëlqeu me paraqitjet e saj te Malie dhe Cutrofiano, skuadër me të cilën realizoi ngjitjen në Serinë A2, ndërsa në edicionin 2022/23 u shpall kampione e Serisë B1 me Costa Volpino. Faza e fundit e karrierës së saj aktive si lojtare u mbyll përfundimisht në sezonin 2023/24, kur u aktivizua me Blu Volley Pesaro. Pas largimit nga fusha e lojës, Stefania i’u përkushtua një tjetër pasioni të hershëm, atij të gjuhëve të huaja, duke ushtruar profesionin e mësueses së gjuhës angleze. Federata Italiane e Volejbollit (FIPAV) ka konfirmuar zyrtarisht se Corna ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të zgjatur. Në njoftimin e federatës thuhet: "Ajo ishte pasuese nga Bergamo dhe u formua te Foppapedretti Bergamo. Gjatë karrierës luajti në disa ekipe të Serisë A, përfshirë: Milani, Parma, Pavia, Giaveno, Casalmaggiore, Montichiari, Scandicci." Ndër sukseset më të spikatura të karrierës së saj mbeten triumfet me kombëtaren e grupmoshave të reja të Italisë, ku Corna fitoi dy tituj kampionë evropianë me Përfaqësuesen U21/Juniorë në vitet 2006 dhe 2008. Ndërkohë, ajo pati privilegjin të debutojë me ekipin kombëtar senior të Italisë më 7 qershor 2011, në kuadër të turneut 'Montreux Volley Masters', në sfidën kundër Kubës që u mbyll me rezultatin 1:3. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, FIPAV ka theksuar se Presidenti Giuseppe Manfredi, dy zëvendëspresidentët, sekretari i përgjithshëm, Këshilli Federal dhe i gjithë komuniteti i federatës i dërgojnë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të saj. Ceremonia e lamtumirës së fundit do të organizohet më 9 tetor, duke filluar nga ora 10:00, ku miqtë, familjarët dhe adhuruesit e sportit do të kenë mundësinë t'i bëjnë homazhet e merituara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar