Aktuale
Zbulohet plani i Zvicrës: Kur kthehen Granit Xhaka dhe Breel Embolo te “Helvetikët”?
Reklamë e Sponsorizuar
Granit Xhaka dhe Breel Embolo ishin dy mungesat më të bujshme gjatë fazës përgatitore 16-ditore të Përfaqësueses së Zvicrës, por situata e tyre pritet të normalizohet shumë shpejt.
Sipas njoftimeve nga shtypi helvetik, nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve dhe pa ngjarje të papritura, dyshja e njohur do t'i bashkohet sërish kombëtares gjatë muajit nëntor, ku Xhaka pritet të rimarrë edhe rolin e liderit në fushë.
Zvicra e nisi këtë cikël me shumë polemika e debate, por e mbylli me sukses të plotë, duke triumfuar 3:0 ndaj Maqedonisë së Veriut në Luzern. Ky rezultat e mban Zvicrën në kuotën e katër fitoreve nga po aq ndeshje, me një golaverazh prej 11–1, duke hedhur hapa të sigurt drejt ngjitjes në Ligën A.
Më 13 nëntor, Përfaqësueses së Zvicrës i mjaftuje vetëm një barazim në udhëtim ndaj Sllovenisë në Lubjanë për të siguruar kreun e grupit. Më pas, sfida përmbyllëse e kësaj faze do të luhet në St. Gallen, ku zviceranët do të presin ekipin e Skocisë.
Si trajneri Murat Yakin, ashtu edhe mbrojtësi shtatlartë Manuel Akanji, kanë konfirmuar se Xhaka dhe Embolo do të jenë sërish pjesë e grupit në muajin e ardhshëm. Akanji, i cili pati nderin të mbante shiritin e kapitenit në mungesë të mesfushorit me origjinë shqiptare, shprehu hapur dëshirën për rikthimin e tij.
“Na duhen lojtarët më të mirë të mundshëm në kombëtare”, u shpreh Akanji, i cili shtoi se edhe pse e ka kryer me shumë krenari detyrën e kapitenit, pret që gjithçka t'i kthehet normalitetit dhe Xhaka të rimarrë shiritin.
Edhe numri një i stafit teknik, Murat Yakin, e vlerësoi maksimalisht kontributin e Akanjit gjatë kësaj periudhe, por ishte tejet konciz sa i përket hierarkisë: “Granit është kapiteni ynë”.
Yakin bëri të ditur se në ditët në vijim do të zhvillojë takimet e para me krerët e Federatës Zvicerane të Futbollit për të përcaktuar hapat e ardhshëm lidhur me statusin e Xhakës dhe Embolos.
Sipas mediave në vend, shkak i ftohjes së përkohshme u bënë zhvillimet rreth Xhakës, i cili pranoi publikisht se gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 kishte përdorur dy certifikata false vaksinimi. Çështja mori dhenë pasi Prokurorja e Luzernit nisi një hetim zyrtar ndaj tij.
Pas konsultimeve intensive mes përfaqësuesve të lojtarit dhe autoriteteve të futbollit zviceran, u mor vendimi që ai të mos grumbullohej për ndeshjet e fundit.
Vlen të theksohet se Granit Xhaka mban rekordin si futbollisti me më shumë ndeshje të luajtura në histori të Përfaqësueses së Zvicrës, gjithsej 152 paraqitje, ndërsa shiritin e kapitenit e mban që prej shtatorit të vitit 2020, kur e trashëgoi nga Stephan Lichtsteiner.
Vetëm pesë ditë pasi u njoftua mungesa e Xhakës, federata vendosi që edhe Breel Embolo të mos bashkohej me skuadrën, pasi vetë sulmuesi kishte njoftuar institucionin se vitin e kaluar kishte marrë një urdhër penal për blerjen e certifikatave të falsifikuara të testeve anti-COVID.
Për sa i përket aspektit ligjor, Xhaka rrezikon një dënim me gjobë me kusht, e llogaritur në bazë të ditë-gjobave, e cila mund të kapë vlerën e rreth 3.000 frangave zvicerane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: