Kronikë
Akuza për shpifje ndaj gazetarit, gjykata dënon avokatin Idajet Beqiri me 200 mijë lekë gjobë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata e Tiranës ka dënuar për shpifje dhe fyerje avokatin Idajet Beqiri, duke i dhënë fund një procesi gjyqësor trevjeçar të iniciuar nga gazetari Ferdinand Dervishi.
Gjyqtari Altin Abdiu ka vendosur dënimin e Beqirit me 100 mijë lekë gjobë për shpifje dhe 100 mijë lekë të tjera për fyerje, për deklaratat e bëra në adresë të gazetarit gjatë një interviste në televizionin “Dritare TV”, më 6 maj 2023.
Vendimi është bërë publik nga vetë gazetari Ferdinand Dervishi, i cili ka publikuar edhe kërkesën e plotë për gjykim, duke zbardhur deklaratat për të cilat e kishte çuar avokatin përpara drejtësisë.
“Megjithë këshillat e shumë miqve që më thonin se nuk ia vlente të merresha me avokatin Idajet Beqiri, unë vendosa që çështjes t’i shkoja deri në fund me një qëllim të vetëm në mendje: të kontribuoja sadopak në spastrimin nga molepsja e shoqërisë sonë nga shpifësit dhe fyerësit publikë.
Pas tre vitesh gjykim dhe ndërrimin e një gjykatësi, përfundimisht gjyqtari Altin Abdiu doli me vendimin e pastër të dënimit të avokatit Beqiri, pa i lëvizur asnjë presje kërkesës së padisë sime”, shkruan Dervishi.
Ajo që bie në sy në këtë proces është edhe qëndrimi i prokurorisë. Sipas gazetarit, në seancën e fundit, përfaqësuesi i organit të akuzës kishte kërkuar pafajësinë e Beqirit, por gjykata vendosi dënimin e tij për të dyja veprat penale.
Zanafilla e përplasjes daton në maj të vitit 2023, kur Beqiri, gjatë një interviste ku diskutoheshin vrasjet e Haklajve dhe çështja e Izet Haxhisë, hodhi një sërë akuzash ndaj gazetarit. Avokati pretendonte se Dervishi mbronte krimin dhe kriminelët, se paguhej për qëndrimet e tij publike, madje e përfshinte atë në insinuata për dijeni paraprake mbi ngjarje kriminale.
Beqiri kishte pretenduar gjithashtu se gazetari ishte larguar drejt Greqisë i veshur si grua, për shkak të kërcënimeve nga Fatmir Haklaj.
Në kërkesën për gjykim, Dervishi i ka rrëzuar njëra pas tjetrës këto pretendime, duke argumentuar se deklaratat e avokatit synonin të denigronin figurën e tij dhe të shkatërronin reputacionin profesional të ndërtuar përgjatë më shumë se 25 viteve në gazetari.
Dervishi ka sqaruar se në vitin 1999 kishte udhëtuar në Tropojë, ku kishte realizuar një investigim për revistën “Klan”, duke identifikuar për herë të parë Haklajt si autorë të vrasjes së Azem Hajdarit. Sipas tij, rezultatet e investigimit u konfirmuan dy vite më vonë nga gjykata.
Gazetari ka pranuar se pas publikimit të shkrimit ishte larguar përkohësisht drejt Greqisë, me këshillën e kolegut Blendi Fevziu, por me vizë, pasaportë dhe automjetin e tij, duke hedhur poshtë historinë e treguar nga Beqiri.
Në përfundim të procesit trevjeçar, Dervishi u ka bërë thirrje personazheve publike që të mos heshtin përballë shpifjeve dhe të kërkojnë mbrojtjen e reputacionit të tyre në rrugë gjyqësore.
“Inkurajoj, sidomos të gjithë personazhet publikë, që të ndjekin me seriozitet dhe deri në fund të drejtën e tyre kur të gjenden në të njëjtën situatë. Shërbimi është shumë më tepër se individual”, përfundon gazetari.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: