Kronikë
Tragjedia në Gjilan, Jahjaga: Deri kur do t'i trajtojmë vrasjet e grave thjesht si ngjarje të radhës?
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka reaguar ashpër ndaj vrasjes së dyfishtë që ndodhi mbrëmë në fshatin Livoç të Gjilanit, ngjarje kjo që ka tronditur opinionin publik në mbarë Kosovën.
Në reagimin e saj, Jahjaga ka theksuar se aktet e tilla të dhunës ndaj grave nuk duhet të shihen kurrë si incidente të izoluara, as si çështje private të brendshme familjare.
Ajo ka bërë thirrje për një reflektim të thellë shoqëror dhe institucional, duke kërkuar sfidimin e hapur të mentaliteteve patriarkale që normalizojnë dhunën, të kulturës së heshtjes që e lejon atë, si dhe të çdo tendence për të minimizuar apo arsyetuar këtë dukuri alarmante.
“Edhe sa jetë duhet të shuhen që dhuna ndaj grave mos të trajtohet vetëm si një tragjedi e radhës? Ngjarja e rëndë dje në Gjilan na tronditi thellësisht, por përtej dhimbjes dhe tronditjes, duhet të përballemi me një realitet të hidhur që ende jetojmë në një shoqëri ku gratë humbin jetën pikërisht nga ata pranë të cilëve duhen të ndihen të sigurta. Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën se mund të vritet dhe asnjë grua nuk duhet ta paguajë me jetë të drejtën për të jetuar e lirë, e sigurt dhe me dinjitet”, ka shkruar ndër të tjera ish-shefja e shtetit, duke u shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pasi personi me inicialet V.R qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, N.B, si dhe vëllain e saj, E.R, ndërsa gjatë incidentit mbeti i plagosur edhe axha i dy viktimave.
Pas kryerjes së krimit të rëndë, i dyshuari është vetëdorëzuar në organet e rendit, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë duke vazhduar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: