Sport
Kriza financiare përfshin Vllazninë: Lojtarët bojkotojnë seancën stërvitore për pagat e prapambetura
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi i futbollit Vllaznia po kalon një moment delikat, pasi futbollistët e skuadrës së parë kanë refuzuar të zbresin në fushë paraditen e 8 tetorit, si shenjë proteste për pagat e vonuara.
Bojkoti ka vazhduar edhe në seancën e pasdites. Edhe pse stërvitja ishte parashikuar të niste në orën 16:00, pas gjysmë ore është konstatuar se grupi nuk ka qenë i plotë, pasi në fushë janë paraqitur vetëm lojtarë të ardhur nga akademia, ndërsa formacioni U-19 i kuqebluve ka vijuar përgatitjet i ndarë nga pjesa tjetër.
Për të menaxhuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje, presidenti i klubit, Alban Xhaferi, ka qenë i pranishëm në ambientet e stadiumit “Reshit Rusi”, ku po zhvillohen përpjekje intensive për të qetësuar ambientin dhe për të rikthyer grupin e plotë në stërvitje sa më parë.
Kjo situatë vjen në një moment kyç për shkodranët, të cilët po përgatiten për sfidën e vështirë kundër Dinamos. Ndeshja e vlefshme për javën e gjashtë të Abissnet Superiore do të luhet më 11 tetor dhe shënon njëkohësisht debutimin e trajnerit të ri, Çaba Laszlo, në krye të pankinës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: