Aktuale
Në vizitën e parë pas marrjes së detyrës, Presidentja Shiroka Pula nderoi në Prekaz themelet e shtetësisë së Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Pas marrjes zyrtare të mandatit të saj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka ndërmarrë sot një vizitë nderimi në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe është ndalur për homazhe pranë prehjeve të fundit të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe ikonës së lëvizjes kombëtare, Adem Demaçi.
Gjatë qëndrimit në Prekaz, e para e shtetit u përkul me respekt të thellë para sakrificës mbinjerëzore të familjes Jashari dhe kontributit jetësor të komandantit legjendar Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, u shpreh Presidentja me këtë rast.
Më pas, duke vendosur kurora lulesh te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo ka vlerësuar lart mençurinë dhe orientimin largpamës me të cilin ai drejtoi vendin në momentet më sfiduese të historisë sonë moderne.
“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula gjatë fjalës së saj.
Në stacionin e fundit të homazheve, te varri i veprimtarit të shquar Adem Demaçi, e para e vendit ka evokuar figurën e tij poliedrike, duke vënë in primis faktin se ai ia fali gjithë jetën e tij idealeve të lirisë dhe ruajtjes së dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.
“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, përfundoi ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: