Politikë
Përplasje e fortë në Kuvend: Spiropali shënjestron Bardhin dhe opozitën për mungesë demokracie të brendshme
Reklamë e Sponsorizuar
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate të ashpra mes përfaqësueses së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ndërkohë që në qendër të diskutimeve ka qenë Reforma Territoriale.
Gjatë fjalës së saj foltoren e Parlamentit, Spiropali iu kundërvë akuzave të opozitës, duke kërkuar që debatet të mos ngatërrohen me çështje të tjera dhe duke paralajmëruar zgjidhje të shpejta për temat e ngritura.
“Nuk mund të përdoret këtu çdo platformë për të folur për të njëjtën çështje. I qëndroj një më një gjërave që kam thënë, në platformë dhe pa platformë, e kam prezantuar në Asamblenë e PS-së. Ashtu sikur ju nuk thoni dot një fjalë në Kryesinë e partisë tuaj, as në mbledhje, sepse ju nuk keni një parti, ju keni vetëm një njeri. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit dhe kontrollit të pushtetit, nga pushteti lokal te ai qendror. Ju jeni mishërimi i personalizimit të pushtetit deri në katandisje. I kam dalë kundër kësaj kulture. Mos i lidh çështjet që janë të palidhura, se të gjitha do të zgjidhen shumë shpejt”, u shpreh ajo gjatë replikave.
Paralelisht me zhvillimet brenda sallës, në kampin socialist është regjistruar një lëvizje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të zhvilluar në orët e paradites. Deputeti Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim duke votuar pro reformës, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te qëndrimi që do të mbajë Erion Braçe gjatë momentit të votimit në Kuvend.
Ndërkohë, situata ka qenë e tensionuar edhe jashtë dyerve të institucionit ligjvënës, ku janë shënuar përplasje mes qytetarëve protestues dhe forcave të rendit. Policia e Shtetit ka instaluar masa të rrepta sigurie, duke vendosur barriera metalike përreth godinës së Kuvendit për të kontrolluar perimetrin dhe për të ndaluar afrimin e turmës, ndërsa në terren janë angazhuar trupa të shumta policore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: