Politikë
Ramush Haradinaj kërkon opozitë të fortë kundër keqqeverisjes pas miratimit të Speciales
Reklamë e Sponsorizuar
Pas votimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka reaguar ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar se të martën është përmbyllur me sukses një proces i rëndësishëm për vendin.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj e ka konsideruar miratimin e këtij ligji si një hap jetik për mbrojtjen e të drejtave të Kosovës, duke nënvizuar se me përkushtim dhe vullnet çdo sfidë mund të kapërcehet.
"Ky ligj e ndihmon të drejtën tonë. Urime Kosovë, urime Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, urime çlirimtarë që padrejtësisht po mbaheni në Hagë", ka deklaruar Haradinaj.
Me këtë rast, ai nuk ka lënë pa i dërguar një urim edhe presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, duke i dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive të saj institucionale.
"Presidentes së zgjedhur, zonjës Justina Shiroka-Pula, ia uroj zgjedhjen, i uroj punë të mbarë", është shprehur ai në mesazhin e tij.
Nga ana tjetër, Haradinaj ka tërhequr vëmendjen se Kosova ka ende përpara sfida të hapura që kërkojnë vëmendje urgjente.
"Qytetarë të dashur, ende punët tona mbeten pa kry. Një punë e rëndësishme është përballja e keqqeverisjes në vend. Në demokraci qytetari ka nevojë për opozitë të vërtetë, për opozitë të fortë. Ta ndihmojmë krijimin e mirëfilltë të një opozite të fortë e të pathyeshme. Aleanca është e gatshme të marrë përgjegjësinë bashkë me ju që ta përballim keqqeverisjen në interes të popullit të Kosovës", ka përfunduar Haradinaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: