Kronikë
Vlora Çitaku dedikim prekës për Çlirim Hazirin: Je bërë krenaria e babait tënd
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka drejtuar një falënderim dhe vlerësim të lartë për protestuesin Çlirim Haziri, i cili ka udhëhequr për 21 ditë protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në mbështetje të nismës për mbrojtjen me ligj të vlerave të UÇK-së.
Nëpërmjet një reagimi publik, Çitaku e ka cilësuar Çlirimin si mishërim të protestës qytetare, duke e ndërlidhur angazhimin e tij me trashëgiminë e babait të tij, dëshmorit dhe heroit të atdheut, Xhavit Haziri.
"Çlirim, ti e ke ba krenar babën! 21 ditë radhazi. Ditë e natë. Në ballë të protestës kundër aktgjykimit të padrejtë në Hagë. Në ballë të kërkesës për mbrojtjen e UÇK-së me ligj", ka shkruar ajo.
Sipas saj, zëri i Çlirim Hazirit është shndërruar në jehonë të mijëra qytetarëve, ndërsa rezistenca e tij u ka dhënë fuqi qytetarëve për të vijuar përpjekjen. Çitaku ka vënë në pah vazhdimësinë e patriotizmit ndër breza, duke e krahasuar angazhimin e tij me idealet e luftës për liri.
"S’kishte si të ndodhte ndryshe. Babai u ngrit për lirinë. Ti ngrihesh për dinjitetin e atyre që na e sollën atë. E njëjta dashuri për Kosovën, nga një brez te tjetri. Si një rrëfim epik që vazhdon të shkruhet me dashuri për vendin", ka shtuar ajo.
Ajo ka theksuar se emri i tij mbart idealet e brezit të Xhavit Hazirit, duke e vlerësuar atë si simbol të qëndresës dhe bashkimit qytetar.
Në fund të mesazhit të saj, Çitaku e ka inkurajuar Hazirin të mos ndalet në këtë rrugëtim, duke kërkuar që të ruajë sinqeritetin dhe guximin për të qenë zëri i qytetarëve deri në vendosjen e drejtësisë për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: