Sport
Fundi i pritjes 11-vjeçare: Ohri bëhet gati për pishinën e mbyllur olimpike
Reklamë e Sponsorizuar
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka zhbllokuar procesin e ndërtimit të pishinës së mbyllur në Ohër, duke miratuar në seancën e fundit vendimin për vazhdimin dhe finalizimin e këtij impianti sportiv. Ky projekt, i cili kishte ngecur që nga viti 2015, konsiderohet si një ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore për rajonin, duke i dhënë fund një periudhe 11-vjeçare të pasigurisë dhe bllokimit të punimeve.
Ministria e Sportit, pas marrjes së kompetencave, ka kryer një analizë të detajuar të situatës për të identifikuar pengesat teknike, administrative dhe financiare që kishin pezulluar punën për më shumë se një dekadë. Në bazë të këtij rishikimi, janë ndërmarrë masa konkrete, përfshirë edhe rishikimin e projektit bazë, për të krijuar kushtet e nevojshme për rifillimin e menjëhershëm të ndërtimit.
Për t'i dhënë epilog këtij projekti madhor, janë siguruar mjete financiare në vlerë prej 470 milionë denarësh. Kjo mbështetje buxhetore garanton që pishina të përfundohet sipas standardeve moderne dhe të mos mbetet më një objekt i papërfunduar.
Ky investim nuk është i rëndësishëm vetëm për banorët e Ohrit, por edhe për zhvillimin e sporteve të notit në nivel kombëtar. Me finalizimin e kësaj qendre, sportistët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë kushte bashkëkohore stërvitjeje, ndërsa qyteti do të ketë kapacitetin për të organizuar gara sportive, duke ndikuar kështu në avancimin e infrastrukturës sportive në vend.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: