Politikë
Haxhiu: Çështja e kreut të shtetit kërkon prioritet, jo kushtëzime politike
Reklamë e Sponsorizuar
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar se procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit duhet të trajtohet me prioritet absolut dhe të mos lidhet me miratimin e ndryshimeve ligjore të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për Dhomat e Specializuara.
Duke refuzuar çdo mundësi për të bërë “pazare” rreth kësaj teme, Haxhiu u ka bërë thirrje subjekteve politike që të demonstrojnë maturi dhe të ulen në tryezë për të diskutuar prioritetet kyçe të vendit.
“Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së zotit Hamza, meqë është kryetari i partisë po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin, sesa që ta votojmë ligjin (ndryshimet ligjore të iniciuara nga PDK-ja për ligjin për Dhomat e Specializuara)”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, projektligji i propozuar nga PDK-ja për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe kërkesa e Kuvendit për ndërtimin e një strategjie të përbashkët institucionale lidhur me zhvillimet gjyqësore në Hagë, mund të shqyrtohen plotësisht vetëm pasi të përmbyllet procesi i zgjedhjes së presidentit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: