Kronikë
Krime lufte në Kaçanik, aktakuzë ndaj ish-policit serb për dhunë e maltretim ndaj 13 civilëve
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zyrtarizuar aktakuzën kundër të pandehurit me inicialet A.D., i cili ngarkohet me vepra penale që lidhen me krimet e luftës kundër popullsisë civile, si dhe për mbajtje të paligjshme të armëve.
Sipas dosjes hetimore, ngjarjet e rënda dyshohet se kanë ndodhur më 9 mars 1999 në fshatin Ivajë dhe në vendbanimet përreth të Komunës së Kaçanikut.
Në kohën e kryerjes së veprave, i pandehuri A.D. ka qenë i angazhuar si zyrtar policor në Stacionin e Kaçanikut. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar nga radhët e forcave policore dhe ushtarake serbe, ka ndërmarrë sulme brutale ndaj civilëve shqiptarë, duke përfshirë trajtim mizor, tortura, akte frikësimi, shkatërrim të pronave dhe dëbim me dhunë.
Hetimeve u referohen se aksioni ka nisur me rrethimin e fshatit Ivajë, ku banorët u detyruan të braktisin vatrat e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u rrafshuan me tokë.
Gjatë këtij operacioni, burrat u ndanë dhunshëm nga gratë dhe u transferuan në Stacioni e Policisë në Kaçanik. Nga ky grup, 78 veta u lanë të lirë, ndërsa 13 të tjerë u mbajtën në ndalim për t'u marrë në pyetje.
“13 të ndaluarit ishin rrahur dhe torturuar nga A.D. dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar”, thuhet në dokumentin e akuzës.
Materiali lëndor i këtij rasti i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamentit Special, ndërkohë që i dyshuari vazhdon të mbahet në masën e paraburgimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: