Politikë
Kurti: UÇK-ja ishte përgjigja legjitime ndaj gjenocidit dhe dhunës së Serbisë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rezoluta e miratuar me 99 vota në Kuvend rreth aktgjykimit përbën hapin e parë të përbashkët, i cili më shumë sesa efekte juridike, mishëron vullnetin e popullit përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur.
“Prandaj, mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar të kësaj thirrjeje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror, duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse, sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoren si rëndesë apo dëm në dëm të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, do të bëjmë gjithçka dimë e mundemi, bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli dhe drejtësia”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Shefi i Qeverisë theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit si kundërpërgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave, shpërnguljeve me dhunë, spastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga Serbia, duke u shndërruar në shtyllën e luftës së drejtë për liri dhe çlirim.
Duke folur për zhvillimet e fundit institucionale, Kurti përmendi edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese: “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcaktoi një normë të re kushtetuese lidhur me rrjedhën e afatit për zgjedhjen e presidentit ose presidentes, na vë përpara një situate urgjente për veprim”.
Në këtë kuadër, kryeministri ka bërë të ditur se ka mbajtur takime bilaterale me krerët e opozitës, konkretisht me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, me qëllim të koordinimit të hapave pas vendimit të 16 shtatorit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, Kurti ofroi garanci se institucionet do të ndërmarrin çdo veprim të mundshëm institucional. “Të dielën kam zhvilluar takime të ndara me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit, por edhe sfidat që na presin përpara në aspektin institucional, politik e shtetëror”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: