Sport
Nisja ëndërrore me Kuqezinjtë, mesfushori i Dinamos: Fusha e vështirë, por morëm atë që deshëm
Reklamë e Sponsorizuar
Klevi Qefalija ka shijuar paraqitjen e tij të parë zyrtare me fanellën e Kombëtares Shqiptare, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve ku kuqezinjtë triumfuan 0-3 në udhëtim ndaj San Marinos. Mesfushori i njohur i Dinamos u hodh në fushë gjatë fraksionit të dytë të takimit, duke regjistruar kështu debutimin e tij historik në skenën ndërkombëtare.
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme do të thoja. Diçka shumë e bukur të debutosh për Kombëtaren. Jam shumë i lumtur për këtë. Gjej rastin që të falenderoj të gjithë stafin, që më dha besimin për të luajtur në këtë ndeshje. Shpresoj të kem bërë më të mirën. Sigurisht që dëshira ishte shumë e madhe për të debutuar. Vendimet normalisht i merr trajneri. Jam shumë i lumtur që debutova,” deklaroi lojtari.
Duke vlerësuar atmosferën brenda grupit dhe sfidat e ndeshjes, ai shtoi: “Falenderoj edhe çunat e skuadrës për mbështetjen, dhe suportin që më kanë dhënë që nga dita e parë që kam ardhur dhe vazhdimisht në stërvitje. Ishte një ndeshje e vështirë. Nuk ka më ndeshje të lehta. Fusha na e bëri dhe pak më të vështirë. E rëndësishme është që ne morëm 3 pikët dhe rezultati ishte në favorin tonë.”
Në mbyllje të prononcimit të tij dhënë për “FSHF TV”, Qefalija ka folur edhe për sfidën e radhës: “Nga nesër do vazhdojmë përgatitjet për ndeshjen e Finlandës. Është ndeshje e vështirë në fushë të vështirë. Do japim maksimumin për të bërë më të mirën dhe për të vazhduar në rrugën që kemi nisur, dhe drejt objektivit për vendin e parë”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: