Aktuale
Sukses mjekësor në Vushtrri: Ekipi i Spitalit 'Sheikh Zayed' i heq pacientes tumorin 4-kilogramësh
Reklamë e Sponsorizuar
Një operacion i rrallë dhe tejet kompleks ka përfunduar me sukses në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ku një paciente, e cila prej dy vitesh vuante nga një problem i rëndë shëndetësor, i është nënshtruar me sukses heqjes së një tumori me peshë 4 kilogramë.
Lajmin për këtë arritje mjekësore e ka bërë të ditur vetë institucioni shëndetësor përmes një komunikate për opinionin publik. Sipas njoftimit, falë gatishmërisë dhe ekspertizës së ekipit mjekësor, ndërhyrja ka kaluar pa komplikime, ndërsa pacientja aktualisht gëzon shëndet të plotë dhe ndodhet në gjendje stabile pas operacionit.
Suksessi i kësaj procedure kirurgjike delikate mban vulën e një ekipi profesionist të përbërë nga gjinekologët-obstetër: Mr. sc. Dr. Blerim Feka, Dr. Fatmire Melenica dhe Dr. Behije Ejupi, të asistuar nga anesteziologu Dr. Rexhep Kovaçi.
Në fjalën e tij, drejtuesi i këtij operacioni, Dr. Blerim Feka, ka shprehur falënderime për menaxhmentin e spitalit, duke theksuar se përkrahja institucionale dhe sigurimi i kushteve optimale janë vendimtare për kryerjen e ndërhyrjeve të këtij niveli të vështirësisë.
Nga ana tjetër, menaxhmenti i Spitalit “Sheikh Zayed” e ka vlerësuar këtë rast si një dëshmi të qartë të përkushtimit të lartë dhe profesionalizmit që stafi mjekësor tregon çdo ditë në shërbim të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në këtë qendër.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: