Kronikë
Operacion drastik në Gjermani: Pranga liderit të bandës famëkeqe “Hells Angels” ndërsa lëvizte me automjet luksoz
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet policore në Hamburg kanë neutralizuar një nga drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale “Hells Angels”, në kuadër të një aksioni të gjerë kundër strukturave të armatosura të krimit të organizuar, pas një vale përleshjesh me armë mes grupeve rivale.
Sipas informacioneve zyrtare, i dyshuari Dariusch “Dari” F., i njohur në qarqet e errëta të motoristëve, është kapur në pjesën e prapme të një automjeti të klasit të lartë tip Mercedes-Maybach. Ndërhyrja e forcave speciale u realizua të premten në mbrëmje në qendër të Hamburgut, ku u bë bllokimi i tre automjeteve luksoze gjatë një transaksioni të dyshimtë monetar.
Gjatë kontrollit të detajuar të ushtruar në terren, strukturat e rendit zbuluan një armë zjarri të gatshme për qitje dhe një shumë prej 23 mijë eurosh. Në total, pesë persona u ndaluan gjatë këtij interventi policor.
Lideri i bandës, i cili është i detyruar të lëvizë me karrige me rrota pasi i mbijetoi një tentative për vrasje gjatë konflikteve të përgjakshme mes “Hells Angels” dhe “Mongols” në vitin 2018, përfundoi në pranga të forcave të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, dy individë të tjerë të lidhur me të njëjtin grup kriminal u prangosën në zonën e HafenCity, ku autoritetet sekuestruan një tjetër armë zjarri me fishekë në gojë.
Ky aksion shënon goditjen e parë të madhe të njësisë së posaçme “Soko Kinesis”, e cila u themelua enkas për t'i dhënë fund valës së dhunës me armë që ka përfshirë Hamburgun kohët e fundit, duke përfshirë këtu edhe një ngjarje të rëndë me dy viktima të regjistruar në muajin shtator në lagjen St. Pauli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: