Kronikë
Nga 8 mijë franga dhe një aksident i rëndë te perandoria e ndërtimit: Historia frymëzuese e sipërmarrësit shqiptar në Zvicër
Reklamë e Sponsorizuar
Esat Likaj nuk e kishte parashikuar kurrë se do të bëhej pjesë e botës së ndërtimit. Pasi përfundoi studimet dhe u shpërngul në Zvicër, pamundësia për të gjetur një punë në fushën e tij e shtyu të hapte një kompani skelash për të fituar jetesën e përditshme. Megjithatë, një aksident i rëndë në punë pak vite më vonë do t'i ndryshonte rrjedhën e jetës, duke i dhënë jetë vizionit që sot e pozicionon atë mes zhvilluesve privatë më të suksesshëm në Zvicër.
Në serinë e parë kushtuar këtij rrugëtimi, LIKA Group u bë e njohur përmes partneritetit strategjik me gjigantin amerikan të investimeve, Eldridge. Por pas shifrave marramendëse fshihet një histori personale dhe familjare që i ka rrënjët e thella në Kosovë.
Likaj e ka origjinën nga Carrabregu i Deçanit. Në vitet 1950, gjyshi i tij themeloi një ndërmarrje të përpunimit të drurit, e cila u ringjall pas luftës nga babai dhe xhaxhallarët e tij. Ky ambient familjar shërbeu si shkolla e parë e tij ku mësoi parimet e tregtisë dhe artit të sipërmarrjes.
Udhëtimi i tij akademik shtrihet në tri shtete të ndryshme. Ai kreu studimet bachelor për menaxhment dhe teknologji informative në Prishtinë, vijoi një program të specializuar në gjuhën angleze në Universitetin Amerikan në Bullgari, dhe u kurorëzua me një master në marketing dhe menaxhment ndërkombëtar nga University of East London. Gjatë kësaj kohe, vizitat e shpeshta në Zvicër i sollën edhe lidhjen fatlume me bashkëshorten e tij.
Me vendosjen përfundimtare në tokën helvetike, mungesa e mundësive në profilin e tij akademik e orientoi drejt themelimit të një firme skelash në Zug. Kështu, LIKA Group AG u regjistrua zyrtarisht në regjistrin tregtar në janar të vitit 2012.
Pika e kthesës erdhi papritur në vitin 2013, kur Likaj pësoi një lëndim serioz gjatë punës. Periudha e gjatë e rikuperimit u shndërrua në një kohë reflektimi, e cila e orientoi drejt sektorit fitimprurës të patundshmërive.
Blerja e tij e parë u regjistrua në vitin 2014 në Schöftland të kantonit Argau, kohë në të cilën ai zotëronte vetëm rreth 8000 franga kapital personal. Pas rinovimit dhe shitjes me sukses të pronës, e cila përfshinte edhe një parcelë në Oberentfelden, formula e tij u kristalizua: nisja me hapa të vegjël, gjenerimi i vlerës dhe riinvestimi i fitimeve.
Suksesi i madh i radhës u shënua në vitin 2017. Nëpërmjet një ankandi, ai bleu për 2,6 milionë franga një ish-kompleks industrial të përbërë nga fabrikë, zyra dhe hapësira banimi, të cilin e transformoi tërësisht brenda tetë muajsh.
Që në hapat e parë, strategjia e Likajt ka qenë centralizimi i proceseve brenda kompanisë. Montimi i skelave, shërbimet ndërtimore, rikonstruksionet dhe zhvillimi i projekteve operojnë nën të njëjtën ombrellë, pasi sipas tij, delegimi i plotë te palët e treta heq kontrollin dhe humb kohë të çmuar.
Sot, grupi menaxhon, ndërton dhe zhvillon projekte në disa kantone zvicerane. Në Argau po ngrihen shtëpi shumëfamiljare në Birrhard dhe kompleksi i banimit afatgjatë „La Maison Suisse” në Döttingen. Ndërkohë, në Goldach pranë liqenit të Konstancës po realizohen 24 banesa në pronësi, kurse në Paradiso afër Luganos po zhvillohet kompleksi banesor dhe komercial „Butterfly”.
Aksionet e kësaj kompanie me seli në Risch të Zugut ruhen ekskluzivisht në pronësi të familjes Likaj. Ai thekson se ky model do të mbetet i pandryshuar, ndërsa bashkëpunimet me partnerë investues do të pranohen vetëm për iniciativa specifike.
E njëjta filozofi qëndron edhe pas marrëveshjes me fondin amerikan Eldridge. Këta të fundit nuk janë bërë bashkëpronarë, por kanë siguruar tri kredi zhvillimi në vlerë totale 113,7 milionë franga për projekte në Celerina, Lugano dhe pranë liqenit Ägeri në Zug. Të dhënat nga Eldridge tregojnë se tetë nga dymbëdhjetë rezidencat në Celerina janë shitur ose rezervuar paraprakisht, ndërsa analistët financiarë e shohin këtë bashkëpunim si dëshmi se bankat tradicionale zvicerane janë bërë më të rrepta në financimin e ndërtimeve, duke u lënë hapësirë huadhënësve alternativë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: