Aktuale
Nis turneun në Amerikën Latine, Papa Leo XIV siguron besimtarët për shëndetin e tij pas operacionit të vështirë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë fluturimit drejt Amerikës Latine, Papa Leo XIV ka ndarë lajme inkurajuese me gazetarët që e shoqërojnë, duke theksuar se gëzon një “gjendje mjaft të mirë shëndetësore”. Këto janë deklaratat e para publike të Atit të Shenjtë lidhur me shëndetin e tij, pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një tumori në mushkëri.
Kreu i Kishës Katolike ka mbërritur tashmë në Uruguai, që shënon stacionin e parë të një axhende 12-ditore. Ky udhëtim vjen vetëm tri javë pas operacionit delikat. 71-vjeçari u shpreh se ndihet “shumë i lumtur” për mundësinë e realizimit të kësaj vizite, e cila vetëm një muaj më parë ishte vënë në semafor të kuq, pasi mjekët zbuluan qelizat kancerogjene gjatë një kontrolli të zakonshëm shëndetësor.
Itinerari i këtij turneu do të vazhdojë në Argjentinë, për t'u pasuar nga një rikthim tejet emocional në Peru, të cilin Vatikani e ka përshkruar si një “kthim në shtëpi”, duke qenë se Papa ka kaluar vite të tëra atje si misionar dhe më pas si ipeshkëv. Duke folur përfaqësuesve të mediave në bordin e aeroplanit, ai pranoi se nuk kishte pasur kurrfarë dyshimi se ky mision duhej çuar deri në fund.
“Falë stafit të mrekullueshëm mjekësor… besoj se jam në gjendje mjaft të mirë shëndetësore”, deklaroi ndër të tjera Papa Leo, ndërkohë që kirurgët që e operuan muajin e kaluar kanë konfirmuar me lehtësim se tumori nuk ishte përhapur.
Me të mbërritur në Montevideo të premten, Papa u prit nga një masë e madhe njerëzish të mbledhur përgjatë bregdetit, të cilët brohoritën emrin e tij teksa automjeti papal kalonte pranë tyre. Në fjalimin e tij hyrës, ai solli në vëmendje nevojën jetike që kujdesi shëndetësor universal të jetë “i qasshëm për të gjithë”.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve në sheshin Plaza Independencia, Ati i Shenjtë u shpreh se trajtimi mjekësor që mori vetë e shtyu të reflektojë për “shumë burra dhe gra që nuk kanë mundësi të sigurojnë një diagnozë në kohë apo të marrin trajtimin e nevojshëm”. Agjenda e tij e ngjeshur në tokën uruguajane u mbyll me një lutje të përzemërt brenda Katedrales së Montevideos.
Në këtë turne të gjashtë ndërkombëtar, Papa Leo do të përshkojë një distancë prej mbi 20 mijë miljesh. Të dielën, ai do t'i drejtohet Argjentinës, vendlindjes së paraardhësit të tij, Papa Françeskut, i cili nuk pati mundësi të kthehej atje gjatë pontifikatit të tij.
Sipas Papës, qëllimi kryesor i këtij udhëtimi është të gjendet pranë qytetarëve, të cilët presin nga Kisha një mesazh të qartë “shprese”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: