Sport
Gola nga Strasburgu për liderët e UÇK-së: Besoj fuqishëm se Apeli do t’i rrëzojë akuzat dhe ata do të jenë të lirë!
Reklamë e Sponsorizuar
Çështja e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pretendimet e ngritura ndër vite ndaj tyre ishin pjesë e fjalimit të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Gola u ndal te proceset gjyqësore që lidhen me ish-pjesëtarët e UÇK-së, duke deklaruar se disa prej pretendimeve kryesore të raportit të Dick Martyt, sipas tij, nuk janë vërtetuar gjatë proceseve gjyqësore.
Në mënyrë të veçantë, ai përmendi pretendimet për krime kundër njerëzimit, trafikim organesh dhe akuzat që lidhen me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
Sa u përket akuzave që ende mbeten në proces, numri dy i Parlamentit, shprehu besimin se vendimi mund të ndryshojë në fazën e apelit, nëse, siç tha ai, zbatohen me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë”, deklaroi Gola para të pranishmëve.
Në fjalimin e tij, ai e përshkroi UÇK-në si një forcë që, sipas tij, u shfaq si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes në Kosovë. Ai tha se qëllimi i luftës së saj ishte çlirimi i vendit nga regjimi i atëhershëm i Sllobodan Millosheviqit.
Gola gjithashtu u bëri thirrje institucioneve evropiane që të tregojnë kujdes ndaj zhvillimeve në rajon dhe të jenë të vëmendshme ndaj narrativave që, sipas tij, mund të çojnë në “shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: