Sport
Tuchel nuk pranon kërkesat e klubeve të Premier Leagues për pushim të lojtarëve: Është çmenduri, duam të fitojmë
Reklamë e Sponsorizuar
Thomas Tuchel nuk ka ndërmend të ulë kërkesat ndaj futbollistëve të Anglisë, pavarësisht kalendarit të ngjeshur që e pret kombëtaren në këtë periudhë ndërkombëtare.
Trajneri gjerman ka bërë të qartë se nuk do t’u përgjigjet kërkesave të trajnerëve të Premier League që mund të kërkojnë pushim për futbollistët e tyre gjatë ndeshjeve të kombëtareve. Sipas tij, një veprim i tillë do t’u dërgonte lojtarëve një mesazh të gabuar.
“Jo, nuk i pranoj telefonatat e trajnerëve të Premier League”, deklaroi Tuchel pas humbjes 3-2 ndaj Spanjës në Wembley.
Përzgjedhësi i Anglisë kujtoi se edhe gjatë kohës kur drejtonte klube ishte përballur me situata të ngjashme, por tani nuk e sheh veten duke vepruar në të njëjtën mënyrë.
“Nuk kam telefonuar kurrë ndonjë përzgjedhës. Kështu është puna”, shpjegoi ai.
Tuchel përmendi edhe përvojat e tij të mëparshme, duke theksuar se kërkesa të tilla nuk do të kishin kuptim në disa raste.
“Nëse do të telefonoja një trajner në Brazil apo Argjentinë, ata nuk do ta dinin se për çfarë po flisja. As lojtarët nuk do ta dinin se për çfarë po flisja”, u shpreh gjermani.
Anglia përballet me një kalendar tejet të ngjeshur. Pas ndeshjes me Spanjën, “Tre Luanët” i kanë edhe tri përballje në Ligën e Kombeve brenda pak ditësh.
Fillimisht, Anglia do të luajë të martën kundër Çekisë në Pragë, ndërsa të shtunën do të përballet me Kroacinë në Rijekë. Ky cikël ndeshjesh do të mbyllet të martën e ardhshme, kur Çekia do të jetë mysafire në Wembley.
Situata është edhe më e vështirë pas një vere të ngarkuar nga Botërori 2026. Disa futbollistë kanë pasur më pak kohë pushimi se zakonisht dhe tani duhet të përballojnë katër ndeshje brenda vetëm 11 ditësh.
Megjithatë, Tuchel nuk ka ndërmend t’i menaxhojë minutat e futbollistëve kryesorë duke menduar për angazhimet e tyre me klubet.
“Pse do ta bëja këtë dhe t’u jepja lojtarëve përshtypjen se është në rregull të tërhiqen pak, të luajnë vetëm gjysmën e ndeshjes apo të pushojnë një takim? Pse do ta bëja këtë?”, pyeti ai.
Përgjigjja e tij ishte e prerë: “Nuk do ta bëja kurrë. Është çmenduri. Ne duam ta fitojmë ndeshjen e radhës”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: