Sport
Çitaku: Historia e Kosovës nuk është pronë e gjykatave, çlirimtarët nuk do të mbeten të vetmuar
Reklamë e Sponsorizuar
Në gjashtëvjetorin e transferimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë, ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për një mobilizim gjithëkombëtar në mbrojtje të figurave kryesore të UÇK-së.
Çitaku e ka cilësuar vendimin e shkallës së parë, i cili ka shqiptuar gjithsej 81 vite burgim, si një akt thellësisht të padrejtë dhe të papranueshëm. Sipas saj, ky vendim bie ndesh me provat materiale, standardet e një procesi të drejtë ligjor dhe, mbi të gjitha, me të vërtetën historike të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Sipas lideres së PDK-së, ky proces gjyqësor nuk synon vetëm dënimin e katër ish-krerëve, por vë në pikëpyetje vetë themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrugëtimin e shtetit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Ajo nënvizoi se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet apo të ndryshohet brenda mureve të gjykatave ndërkombëtare, pasi ajo është ndërtuar mbi sakrificën e popullit, luftën e drejtë të UÇK-së dhe ndihmën e aleatëve perëndimorë, në krye me SHBA-në dhe NATO-n.
Në këtë kontekst, Çitaku ka kërkuar tejkalimin e ndasive politike për hartimin e një Strategjie Shtetërore që do të përfshinte përforcimin e mbrojtjes juridike, mbështetjen financiare dhe një angazhim më të fuqishëm diplomatik në fazën e apelit. Ajo bëri të ditur gjithashtu se po punohet për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me qëllim krijimin e një baze më solide për mbrojtjen e të akuzuarve.
“Ne nuk po kërkojmë privilegje, por drejtësi. Nuk do të lejojmë që një aktgjykim të deformojë historinë e një populli që luftoi për ekzistencë”, deklaroi Çitaku, duke shtuar se shteti i Kosovës ka obligim moral dhe institucional të qëndrojë përkrah çlirimtarëve të vet.
Në fund të mesazhit të saj, Çitaku u dërgoi një mesazh mbështetjeje të fortë ish-krerëve të UÇK-së: “Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë! Ne nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm! As sot. As nesër. Asnjëherë!”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: