Botë
Integrimi në BE, Presidenti Begaj merr progres-raportin: Synojmë përmbylljen e negociatave brenda 2027-ës
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një takim me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa. Gjatë këtij takimi, ambasadorja i dorëzoi zyrtarisht kreut të Shtetit progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj e vlerësoi këtë dokument si një tregues të qartë të progresit që Shqipëria ka shënuar në rrugën e saj drejt familjes evropiane. Ai shprehu falënderimet për mbështetjen e palëkundur që Komisioni Evropian i ofron vendit tonë, si dhe për qasjen proaktive të Brukselit sa i përket zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke shpalosur ambiciet e Shqipërisë për këtë proces, Presidenti konfirmoi vendosmërinë e institucioneve për të përfunduar negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027, me synimin final që vendi të jetë anëtar i plotë i Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
Sipas kreut të Shtetit, fokusi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar në prioritetet kyçe, të cilat përfshijnë forcimin e shtetit të së drejtës, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen dhe garantimin e lirisë së medias në vend.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: