Kronikë
Vendimi për Gjykatën Speciale: Besian Mustafa mungoi në momentin e votimit në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me konsensus të plotë, përkatësisht me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Megjithatë, ky proces nuk ka kaluar pa një detaj që ka tërhequr vëmendjen. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i cili është djali i veprimtarit të ndjerë të kësaj partie, Xhemajl Mustafa, nuk ka qenë i pranishëm në sallë për të dhënë votën e tij. Ndonëse ai ishte i pranishëm në ndërtesën e Kuvendit gjatë zhvillimit të seancës, ai zgjodhi të largohej nga salla pak përpara se të hidhej në votim dokumenti në fjalë.
Dokumenti i miratuar nga ligjvënësit përmban gjithsej shtatë pika thelbësore. Në pikën e parë, Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për vendimin e shkallës së parë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa në pikën e dytë konstaton se është i papranueshëm konstatimi gjyqësor mbi ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.
Pika e tretë obligon institucionet shtetërore që të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e pastërtisë së luftës çlirimtare, duke kërkuar hartimin e një strategjie të unifikuar shtetërore për koordinimin e aktiviteteve juridike, diplomatike dhe institucionale. Ndërkohë, në pikën e katërt, Kuvendi rikujton se Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë tashmë ka vërtetuar përmes aktgjykimeve se ndërmarrja e përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve në vitet 1998-1999 ishte vepër e strukturave të Serbisë dhe Jugosllavisë.
Në vazhdim, pika e pestë kërkon nga Dhomat e Specializuara respektimin e mandatit të tyre në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Kosovës. Pika e gjashtë shërben si një kundërshtim ndaj çdo tentimi për të ndryshuar të vërtetën historike ose për të barazuar popullin e Kosovës me regjimin okupues që e shtypi atë.
Së fundi, pika e shtatë nënvizon se e vërteta e luftës, drejtësia për viktimat dhe e drejta për gjykim të paanshëm të të akuzuarve janë vlera që i përkasin Republikës, ndaj Kuvendi zotohet se do t'i mbrojë ato në çdo rrethanë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: