Politikë
Rexhepi në Tiranë në Konferencën ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, e shoqëruar nga ambasadori Skënder Durmishi, po merr pjesë në Konferencën ndërparlamentare me temë “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimi i Shqipërisë”, e cila po mbahet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së dhe të parlamenteve të vendeve kandidate e potenciale kandidate për anëtarësim në BE, të Parlamentit Evropian dhe të institucioneve të tjera evropiane.
Konferenca synon të ofrojë një platformë strategjike për diskutimin e së ardhmes së zgjerimit të BE-së, shkëmbimin e perspektivave parlamentare, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve kombëtare dhe riafirmimin e rolit të zgjerimit si faktor strategjik për transformimin demokratik, stabilitetin dhe unitetin evropian.
Gjatë punimeve të konferencës, diskutimet janë të përqendruara në tri tema kryesore: zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit; zgjerimin si proces të bazuar në merita dhe si nxitës të stabilitetit e të sigurisë; si dhe rolin e parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së.
"Pjesëmarrja e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë konferencë paraqet një mundësi të mirë për shkëmbimin e përvojave parlamentare, zhvillimin e dialogut ndërparlamentar dhe diskutimin e çështjeve që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor", njofton Kuvendi i Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: