Aktuale
Një dekadë nga ndarja tragjike e Astrit Deharit: Prishtina shënon përvjetorin me aktivitete përkujtimore
Reklamë e Sponsorizuar
Sot mbushen plot dhjetë vjet nga vdekja e misterioze e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ndërroi jetë më 5 nëntor të vitit 2016 derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Me rastin e këtij përvjetori, në kryeqytet është parashikuar një agjendë e ngjeshur aktivitetesh që synojnë nderimin e figurës së tij. Dita do të nisë në orën 09:30 me homazhe pranë varrit të Deharit. Më pas, në orën 11:00, është planifikuar një konferencë për media para ndërtesës së Prokurorisë Speciale, ndërkohë që paralelisht në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, në rrugën “Behije Dashi”, do të zhvillohet aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut.
Programi do të vazhdojë në orën 11:30 në Amfiteatrin e Fakultetit të Mjekësisë me një bashkëbisedim të dedikuar për studentët dhe të rinjtë. Ndërkaq, në orën 14:00, në zyrat e partisë do të bëhet hapja e ekspozitës retrospektive “Kujtimet e veprimtarisë së Astrit Deharit”.
Në orët e pasdites, përkatësisht në orën 17:30, në Kino ABC do të mbahet akademia përkujtimore, ndërsa në orën 18:30 qytetarët do të ndezin qirinj pranë muralit të vendosur për nder të tij. Aktivitetet do të përmbyllen në orën 20:00 me natën përkujtimore “Astriti në kujtimet e shokëve dhe shoqeve”, në lokalin “Retrovers”, afër Menzës së Studentëve.
Astrit Dehari humbi jetën në moshën 26-vjeçare, në një kohë kur po mbahej në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, ndodhur në gusht të vitit 2016. Ngjarja tronditi opinionin publik, duke shkaktuar valë protestash dhe kërkesa të vazhdueshme për drejtësi.
Rrethanat e vdekjes së tij mbeten ende pikëpyetje e madhe. Përderisa ekspertiza fillestare vendore e cilësoi rastin si vetëvrasje, raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës hodhi dyshime të forta, duke lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes së jashtme. Pas këtyre zhvillimeve, në vitin 2019, lënda kaloi nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Familja Dehari prej një dekade vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë dhe transparente të së vërtetës, duke insistuar në vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi për këtë ngjarje tragjike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: