Sport
Fabio Capello zbulon bisedën me Mbappé: Ja si e mposhtëm lehtësisht mbrojtjen e Barcelonës
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-trajneri i njohur i Real Madridit, Juventusit, Milanit dhe Romës, Fabio Capello, ka analizuar në studiot e “Sky Sport” pikat e dobëta të skuadrës së Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick, duke ndarë gjithashtu një bisedë interesante që ka pasur me sulmuesin Kylian Mbappé gjatë ceremonisë së “Topit të Artë”.
Duke analizuar dinamikën e “El Clasico”-s së fituar nga “Los Blancos”, strategu italian vuri në dukje se katalanasit shfaqin probleme të mëdha kur përballen me kundërshtarë që shquhen për shpejtësinë e tyre.
“Kur Barcelona luan kundër skuadrave që kanë në gjirin e tyre lojtarë të shpejtë, vuajnë ndjeshëm. Përmes kësaj strategjie me mbrojtjen lart dhe linjën e pozicionit jashtë loje të vendosur në mesfushë, lënë shumë hapësira pas shpine. Ekipet me nivel të lartë teknik, si Paris Saint-Germain apo Real Madrid, të ndëshkojnë menjëherë pasi nuk falin”, u shpreh Capello.
Më tej, ai ndau detaje nga biseda e zhvilluar me yllin francez, i cili ishte autor i dy golave në sfidën e madhe ndaj rivalëve të përjetshëm: “I thashë Mbappes se bëhet fjalë për një ndeshje të lehtë kur rivali zgjedh të ushtrojë presion duke e vendosur vijën e pozicionit jashtë loje në mes të fushës”.
“Ai m’u përgjigj duke pohuar: ‘Po, është e vërtetë që u kapa dy herë në pozicion jashtë loje, por në rastet e tjera pata mundësinë të shkoja i pashqetësuar drejt portës kundërshtare’”, përfundoi ish-trajneri italian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: