Sport
Ish-ylli i Juventusit thur eloge për Edon Zhegrovën: Më kujton futbollistët brazilianë
Reklamë e Sponsorizuar
Paolo Montero, dikur një nga mbrojtësit më të hekurt dhe luftarakë në historinë e Juventusit, ka ndarë mendimet e jo pak të rëndësishme për talentin e Edon Zhegrovës, duke e krahasuar yllin nga Kosova me stilin e lojës së futbollistëve brazilianë.
Ish-ylli nga Uruguai, i cili gjatë karrierës u dallua për duelet e forta dhe karakterin e pathyeshëm në fushë, pranoi hapur se një përballje direkte me anësorin do të paraqiste sfida të mëdha, sidomos në momentet kur ai merr zotërimin e topit dhe sulmon mbrojtjen kundërshtare.
“Më pëlqen. Është një lojtar i tipit brazilian. Tani, sa herë që futet në lojë, duhet ta rrisë minutazhin. E kam parë në Francë dhe mendoj se duhet të kemi durim”, u shpreh Montero.
Duke analizuar situatën e tij, ish-mbrojtësi nënvizoi se anësori ka nevojë për hapësirë dhe kohë për t'u ambientuar me ambientin e bardhezinjve, duke sjellë në vëmendje se edhe legjenda të tjera kanë kaluar faza të vështira përshtatjeje në kryeqendrën e Piedmontit.
“Kur Zidane erdhi në Torino, në janar Juventusi dëshironte ta largonte. Pastaj e pamë se çfarë lojtari u bë. Nuk është e lehtë të përshtatesh me ndryshimet. Fanella e Juventusit peshon shumë. Ne duam gjithçka menjëherë dhe Juventusi duhet të fitojë çdo ditë”, shtoi ai.
I pyetur se si do të vepronte nëse do të gjendej përballë Zhegrovës në fushën e blertë, Montero pranoi me sinqeritet kompleksitetin e një sfide të tillë.
“Do të ishte e vështirë. Kur të del përballë dhe niset drejt teje, është e komplikuar. Duhet ta shikosh gjithmonë topin dhe jo lojtarin. Nëse vepron kështu, ndonjëherë arrin ta marrësh topin. Përndryshe, ai nuk të kalon”, përfundoi ish-mbrojtësi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: