Aktuale
Tragjedia e Arlindës zbulon dështimet institucionale: Qendrat për Punë Sociale pa kushte dhe psikologë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjendja aktuale në Qendrat për Punë Sociale vazhdon të jetë shqetësuese, e karakterizuar nga mungesa e infrastrukturës elementare dhe mungesa e psikologjëve për trajtimin e rasteve të ndjeshme.
Këto deklarata u bënë nga Luljeta Plakolli Kasumi, eksperte pranë Institutit Nacional Demokratik (NDI), gjatë mbledhjes së mbajtur sot nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutuan sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes së grave.
“Nuk ka kushte, s'ka psikologë. Ka raste që i thuhet viktimës s'kemi vend, nuk po i fajësoj sepse kam taku shumë prej tyre gjatë këtyre viteve dhe e bëjnë maksimumin, por kur nuk kanë financim e kushte, ai është maksimumi që mundesh me bo. Vrasja e Arlindës që i i ka nxjerrë të gjitha këto boshllëqe, prej që kemi nis me diskutuar për strategji, Arlinda është e katërta në listë. Është dekorajuese, një situatë shumë e rëndë, e di që Kuvendi ka themeluar edhe Komisionin hetimor, ndoshta duhet një qasje që me nda punën, që mos me pasur mbivendosje të veprimeve”, u shpreh ajo.
Ekspertja e NDI-së vuri theksin edhe te mangësitë e theksuara brenda sistemit të drejtësisë, të cilat sipas saj cenojnë rëndë besimin e qytetarëve, e veçanërisht të grave, te institucionet e rendit.
Duke ilustruar situatën, ajo përmendi zvarritjet e gjata të lëndëve në gjykata, ku seancat shtyhen vazhdimisht për shkak të mungesës së të pandehurve, duke sjellë si shembull rastin e Diana Kastratit, ku aktakuza në mungesë u ngrit pas plot 15 vitesh.
Kujtojmë se 49-vjeçarja Arlinda Zekaj u vra tragjikisht më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, ngjarje për të cilën dyshohet kunati i saj. Vetëm katër ditë para se të ndodhte krimi, viktima kishte dorëzuar një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku kishte ngritur alarmin për rrezikun serioz që i kanosej jetës së saj. Ky rast tronditës nxiti valë protestash dhe reagime të ashpra publike rreth përgjegjësisë institucionale, ndërsa Policia e Kosovës mori masën e pezullimit për 11 zyrtarë policorë për shkak të mënyrës se a e kishin trajtuar rastin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: