Aktuale
Këshillë Gjyqësore e Kosovës jep dritën jeshile për marrëveshjen me AKKVP-në, kërkohet garanci për zbatueshmërinë në terren
Reklamë e Sponsorizuar
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka marrë vendim zyrtar për të autorizuar nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP). Ky dokument synon të thjeshtojë qarkullimin e informacioneve thelbësore për trajtimin e kërkesave që lidhen me njohjen ligjore dhe formalizimin e të drejtave pronësore.
Sipas njoftimeve gjatë prezantimit të draft-marrëveshjes, këtij hapi i kanë paraprirë një seri takimesh mes dy institucioneve. Zyra Ligjore ka theksuar se dokumenti përcakton qartë obligimet e palëve sa i përket shkëmbimit të të dhënave, sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe modalitetet e realizimit të procesit, ndërsa afati i saj është parashikuar të jetë i pacaktuar.
Megjithatë, gjatë diskutimeve në tryezën e KGjK-së, njëri nga anëtarët ka ngritur shqetësimin se dokumente të tilla mund të mbeten vetëm formale në letër. Ai ka kërkuar përfshirjen e dispozitave të detyrueshme për të siguruar llogaridhënie dhe zbatueshmëri të obligimeve nga të dyja palët.
“Kjo marrëveshje, në rast se nuk zbatohet, a ka pasoja? Arsyeja e parashtrimit të pyetjes është se shumica e marrëveshjeve që bëhen, e para nuk ka dispozita imperative aty, dhe çka nëse nuk zbatohet dhe mbetet vetëm në letër”, u shpreh anëtari i Këshillit Gjyqësor, duke theksuar se përcaktimi i pasojave do të parandalonte mbetjen e marrëveshjes vetëm në nivel dokumentar.
Pasi u shqyrtuan të gjitha aspektet, propozimi u hodh në votim. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Rrustem Thaçi, bëri të ditur se vendimi mori mbështetje unanime.
“Me votë anonime autorizohet kryesuesi i KGjK-së të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Vendimi hyn në fuqi më 22 tetor”, u shpreh Thaçi.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Gjyqësor shqyrtoi dhe mori vendime edhe për një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme nga agjenda e tij e rregullt.
Ndër vendimet kyçe ishte emërimi i Mejreme Memajt në pozitën e administratores në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, me një mandat katërvjeçar që përfshin të drejtën e vazhdimit dhe do të nisë më 22 tetor 2026.
KGjK-ja analizoi gjithashtu ndryshimet e propozuara në planet e punës së Gjykatave Themelore në Ferizaj, Prishtinë dhe Gjakovë. Po ashtu, u mor vendimi për shpalljen e konkursit për administrator të Gjykatës Administrative dhe u themelua komisioni përkatës për rekrutimin e tij.
Gjatë seancës u formua edhe Komisioni për Vlerësimin e Performancës së ish-kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, si dhe u dha autorizimi për kryesuesin e KGjK-së që të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Po ashtu, Burim Ademi, i deleguar nga Gjykata Supreme, u caktua si kryesues i Panelit për Lirim me Kusht dhe anëtar rezervë.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, u propozua që gjyqtarja Ujvesë Hysenaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë t'i propozohet Ministrisë së Drejtësisë si anëtare e Komisionit Vlerësues për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve që synojnë licencimin si ekspertë gjyqësorë.
Në fund të takimit, anëtarët e Këshillit diskutuan dhe trajtuan edhe rekomandimet e dala nga Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: