Politikë
Përplasja e re: OVL-UÇK i kujton Trendafilovës se Gjykata Speciale s’është mbi Kuvendin
Reklamë e Sponsorizuar
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dalë me një reagim të ashpër ndaj kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Kjo e fundit gjatë ditës së sotme pati një paraqitje publike, ku u mbështet te parimi i pavarësisë së këtij institucioni dhe e gjykatësve me seli në Hagë.
Përmes një kumtese për media, OVL-UÇK e ka kundërshtuar hapur deklarimin e Trendafilovës, duke i kujtuar asaj se autoriteti i vetëm për nxjerrjen e ligjeve në Republikën e Kosovës është parlamenti i vendit.
“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova. Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi,” theksohet në reagimin e organizatës.
Tutje, në reagim theksohet se është veprim arrogant nga ana e Trendafilovës që t'i mbajë ligjërata Kuvendit mbi sundimin e ligjit, në kohën kur, sipas kësaj organizate, interpretimet e saj personale po shfaqen si të panegociueshme.
“Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë. Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi,” përfundon deklarata e OVL-UÇK-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: