Kronikë
Bilanci tragjik i zjarreve në Maqedoni: Dhjetëra mijëra hektarë të shkrumbuar dhe dhjetëra të arrestuar për zjarrvënie
Reklamë e Sponsorizuar
Sezoni i kaluar i zjarreve ka lënë pas një bilanc shkatërrues në vend, duke shkrumbuar dhjetëra mijëra hektarë tokë, duke shkaktuar dëme materiale në vlerë miliona euro, si dhe duke vënë nën hetim dhjetëra persona për zjarrvënie të qëllimshme.
Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2026 janë regjistruar rreth 41 mijë hektarë sipërfaqe të djegura. Ndërkohë, Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare” ka evidentuar 138 vatra zjarri në zonat pyjore vetëm deri në fund të muajit korrik, me dëme që në atë periudhë llogariteshin në mbi 4 milionë euro.
Kriza e flakëve u shtri edhe përgjatë muajit gusht, ndërsa situata vijoi të mbetet kritike edhe në shtator për shkak të temperaturave të larta, duke bërë që dëmet totale të mos jenë përmbyllur ende plotësisht.
“Këtë vit deri në muajin korrik kishim 138 zjarre. Në muajin shtator ky numër do të arrije deri në 150 zjarre që do të thotë se vitin do e mbyllim me këtë numër. Këtë vit deri në muajin e shtatë, dëmi ka kaluar mbi katër milion euro por duke mos llogaritur edhe zjarret e mëdha që nuk janë llogaritur siç ishte ai në Kitkë i cili ishte një nga zjarret më të mëdhenj këtë vit,” deklaroi Kire Mihailov, zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”.
Përballë këtij fenomeni shkatërrues, autoritetet e rendit kanë ndërmarrë masa konkrete. Deri në përfundim të muajit gusht, policia ka ndaluar 30 persona nën dyshimin e bazuar se janë autorë të zjarrvënieve të qëllimshme.
“Nga informata që e kam, më shumë se 30 persona në vitin 2026, ishin të ndaluar nga policia nën dyshimin se janë piromanë. Procedurat janë në vijim dhe gjykata dhe prokuroria e vazhdojnë procedurën por ky numër është numër serioz,” u shpreh tutje zëvendësdrejtori Mihailov.
Problematika e zjarreve në pyje mbetet një plagë afatgjatë për vendin. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Revizionit, vetëm gjatë periudhës 2023–2025, janë djegur mbi 82 mijë hektarë tokë dhe janë shkatërruar më shumë se 914 mijë metra kub dru.
Vlerësimet financiare të dëmeve për këto vite kapin shifrën e rreth 133 milionë eurove, ku periudha më kritike rezulton të ketë qenë viti 2024, i cili vetëm i vetëm shënoi dëme që kaluan vlerën e 83 milionë eurove.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: