Kronikë
Kriza e sigurisë në Luginë: Rënie drastike e numrit të policëve shqiptarë, mungojnë rekrutimet e reja
Reklamë e Sponsorizuar
Dy dekada pas përfundimit të konfliktit në Luginën e Preshevës, çështja e përfaqësimit të pjesëtarëve shqiptarë brenda strukturave të Policisë së Serbisë mbetet ende e pazgjidhur dhe problematike.
Në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, numri i efektivëve shqiptarë ka shënuar rënie të vazhdueshme ndër vite, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e atyre që shërbejnë aktualisht ndodhen në prag të pensionimit.
“Nga viti 2016 e deri sot nuk ka asnjë. E tash, në këto 25 vjet sa kanë punuar ata njerëz, një pjesë e tyre është larguar, ka shkuar në perëndim, një pjesë janë larguar nga puna dhe një pjesë e cila është punësuar atëherë në një moshë pak më të shtyrë, tashmë kanë arritur para pensionimit. Pra numri i shqiptarëve po bie në mënyrë drastike dhe në 4-5 vitet e ardhshme do të vijmë në situatë çfarë e kemi pasur para luftës këuto te ne”, ka deklaruar Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë.
Banorët dhe krerët lokalë në Luginën e Preshevës theksojnë se problemi kryesor nuk lidhet vetëm me largimin natyral të gjeneratës së parë të policëve, por me bllokimin e procesit të pranimeve të reja.
“Shqiptarët në mënyrë masovike pas marrëveshjes së Konçulit janë integruar në policinë multietnike. Prej asaj kohe, domethënë prej kush e di sa viteve, nuk kemi shqiptarë në nivel të përfaqësimit të popullsisë që jetojnë në këtë rajon. Imagjinojeni, polici i fundit që është nxjerrë nga akademia është në vitin 2016”, u shpreh Shqiprim Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik.
Megjithatë, kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, bën të ditur se ka marrë premtime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë për përfshirjen e shqiptarëve në ciklet e ardhshme të rekrutimit.
“Ne rrezikojmë që për 7-8 vite të gjithë ata policë të shkojnë në pension dhe të mbesim pa policë shqiptarë. Deri tash nuk kanë pranuar. Kemi parë një angazhim të shtuar të OSBE-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ku kanë qenë edhe në një takim këtu te unë e pastaj kanë mbajtur edhe një tubim me të rinj të interesuar për t’u bërë policë. Unë e shoh këtë herë një seriozitet më të madh dhe e shoh që ka pasur interesim edhe të rinjët të cilët më tepër kanë aplikuar këtë herë, për shkak se e kanë pasur të humbur edhe shpresën sepse kur aplikon 10 herë e nuk pranohesh për arsyetime janë krejtësisht banale, shpresa humb”, theksoi Arbër Pajaziti, kryetar i Bujanocit.
Modeli i policisë multietnike në jug të Serbisë u themelua si pjesë e nismave për paqe dhe stabilizim pas përfundimit të luftës në vitin 2001, duke parashikuar përfshirjen e komuniteteve lokale në mekanizmat shtetërorë të sigurisë bazuar në marrëveshjet e arritura.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: