Aktuale
Parashikimi i motit: Si do të nisë dhe si do të mbyllet kjo javë në Kosovë
Reklamë e Sponsorizuar
Territori i Kosovës gjatë kësaj jave do të përballet me kushte atmosferike të ndryshueshme, ku do a mbizotërojnë vranësirat, intervalet me diell, por edhe reshjet e shiut, të cilat pritet të jenë më të theksuara gjatë ditës së martë dhe asaj të premte.
Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), termometrat do të shënojnë luhatje të herëpashershme, ndërsa flladet e erës do të fryjnë kryesisht nga veriperëndimi dhe verilindja, duke ruajtur një intensitet nga i ulët në mesatar.
E hënë, 12 tetor: Gjatë ditës së parë të javës, parashikohet mot i vranët, i shoqëruar me intervale me diell. Vlerat minimale të temperaturave do të lëvizen ndërmjet 6–9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të kapërcejnë nga 13 deri në 18 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me një shpejtësi prej 1–3 m/s.
E martë, 13 tetor: Moti do të karakterizohet me vranësira të theksuara dhe reshje shiu në zona të ndryshme. Temperaturat minimale do të zbresin ndërmjet 5–9 gradë Celsius, kurse maksimalet do të mbeten ndërmjet 7–12 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1–6 m/s.
E mërkurë, 14 tetor: Për këtë ditë parashikohet mot i vranët, por me kthjellime dhe intervale të herëpashershme me diell. Termometrat minimalë do të shënojnë 4–6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të lëvizin ndërmjet 10–14 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1–4 m/s.
E enjte, 15 tetor: Moti do të jetë më i qëndrueshëm, me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të luhaten ndërmjet 4–6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë vlerat më të larta të javës, nga 16 deri në 19 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi, me një shpejtësi 1–5 m/s.
E premte, 16 tetor: Javës do t'i vihet kapak me mot me diell dhe vranësira të ndryshueshme, të cilat gjatë ditës do të shtohen për të krijuar kushte ideale për reshje shiu. Temperaturat minimale do të jenë 3–6 gradë Celsius, kurse maksimalet do të arrijnë në 12–15 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
Sa i përket kushteve biometeorologjike, luhatjet e atmosferës dhe ndryshimet e temperaturave mund të shfaqin ndikim te gjendja fizike e popullatës, sidomos tek individët që janë të ndjeshëm ndaj fenomeneve meteorologjike. Vlerat e ulëta dhe reshjet mund të sjellin shqetësime për personat me sëmundje kronike, ndërkohë që intervalet me diell dhe butësia e kohës gjatë ditës do të ofrojnë mundësi të mira për shëtitje apo aktivitete në natyrë. Këshillohet që veshja t'i përshtatet temperaturave aktuale dhe të tregohet kujdes i shtuar në orët e para të mëngjesit dhe gjatë mbrëmjes.
Në aspektin agrometeorologjik, reshjet e paralajmëruara të shiut përbëjnë një lajm tejet pozitiv për bujqësinë dhe sektorët e tjerë prodhues. Ato do të ndihmojnë në lagështimin e nevojshëm të tokës, do të plotësojnë kërkesat ujore të kulturave bujqësore dhe do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet për mbirjen e grurit dhe bimëve të tjera të vjeshtës. Po ashtu, këto reshje do të ndikojnë në pasurimin e rezervave të ujit në tokë, ngritjen e niveleve të burimeve ujore dhe rigjenerimin e kullotave e vegjetacionit. Pas një faze të thatë pa reshje të mjaftueshme, ky ndryshim do të lehtësojë stresin ujor te bimët dhe do të shtrojë rrugën për punimet e suksesshme sezonale bujqësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: