Politikë
“Eja në Prizren me Radoiçiqin” – Përgjigjja e ashpër e Andin Hotit ndaj pretendimeve territoriale të Ivica Daçiqit
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka dhënë një përgjigje të prerë ndaj deklaratave provokuese të zëvendëskryeministrit serb në detyrë, Ivica Daçiq, i cili kishte lëshuar pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës, duke aluduar se “flamuri serb do të valojë në Prizren”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, i shoqëruar me një fotografi pranë bustit të veprimtarit të shquar Ukshin Hoti, ministri Hoti e ka ftuar hapur zyrtarin e lartë serb të vizitojë qytetin e Prizrenit, duke e thirrur atë që të shoqërohet edhe nga krimineli i kërkuar, Milan Radoiçiq.
“Daçiq, eja në Prizren! Të presim! Merre edhe Radoiçiqin me vete, se me ty e me disa si ti s’kemi përfunduar punë ende. Janë do djem e vajza në Policinë e Republikës së Kosovës që ju presin. Prizreni është Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.
Duke e rikujtuar se Kosova është shtet i pavarur dhe Republikë, ai ka theksuar se ambiciet e Beogradit për pushtim, si dhe masakrat e gjenocidi, kanë marrë përgjigjen përfundimtare në vitin 1999 falë sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes vendimtare të aleatëve të NATO-s.
Në fund të reagimit të tij, Hoti e ka paralajmëruar Daçiqin se institucionet e drejtësisë në vend kanë ende llogari të pambyllura me të, duke i kujtuar se organet e rendit dhe burgjet e Kosovës janë të gatshme ta presin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: