Sport
Aro Muriq bëhet hero i Sassuolos kundër Milanit, kuqezinjtë ndalen në barazim
Reklamë e Sponsorizuar
Milani ka lëshuar pikë të rëndësishme në kampionat, pasi është ndalur në një barazim 1-1 nga Sassuolo në takimin e vlefshëm për xhiron e gjashtë të Serie A.
Pjesa e parë u karakterizua nga dominimi i kuqezinjve, të cilët rrezikuan disa herë porta kundërshtare, por u ndalën nga paraqitja fantastike e portierit Arijanet Muriq. Gardiani dardan shkëlqeu në minutën e 45-të, duke bërë një pritje vendimtare ndaj goditjes me kokë të Strahinja Pavloviqit.
Pas një fraksioni të parë pa gola, zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 63-të, kur Adrien Rabiot përfitoi nga një top i lënë i lirë brenda zonës dhe e dërgoi saktësisht në rrjetë për t'i dhënë epërsinë Milanit.
Megjithatë, përgjigja e Sassuolos nuk vonoi. Vetëm pesë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 68-të, Cas Odenthal reagoi më së miri ndaj një topi të kthyer dhe me një gjuajtje të tokës e mposhti portierin Mike Maignan, duke barazuar shifrat.
Falë paraqitjes së tij mbresëlënëse përgjatë gjithë takimit, portieri i kombëtares së Kosovës u vlerësua me notën 7.7 nga platforma e specializuar e statistikave 'Flashcore', duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.
Pas këtij barazimi, Milani ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe pozicionohet i pesti në tabelën e klasifikimit, ndërsa Sassuolo renditet e dhjeta me tetë pikë të grumbulluara deri më tani.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: