Sport
Ndeshje dramatike në “Karagaçi”, Besa Famgas mposht me sukses Kastriotin
Reklamë e Sponsorizuar
Përballjet mes Besa Famgas dhe Kastriotit kanë dhuruar edhe një herë tjetër spektakël, rivalitet të fortë dhe emocione deri në sekondat e fundit të takimit.
Të dielën në mbrëmje, në palestrën sportive “Karagaçi” në qytetin e Pejës, skuadra vendase e Besa Famgas triumfoi ndaj rivalëve nga Ferizaj, Kastriotit, me një rezultat të ngushtë 29:28.
Klubi nga Peja e nisi sfidën në mënyrë të shkëlqyer, duke krijuar një epërsi të sigurt që në fraksionin e parë të lojës, i cili u mbyll me shifrat 16:12 në favor të tyre.
Megjithatë, ferizajasit treguan karakter të fortë dhe nuk u dorëzuan, duke ngushtuar diferencën në 27:25 në minutën e 55-të, e më pas në 28:27 në minutën e 57-të. Pejanët reaguan përmes Oliver Rabek, i cili shënoi për rezultatin 29:27 në minutën e 59-të. Edhe pse në sekondat e fundit Eray Karakoç realizoi për Kastriotin duke e çuar rezultatin në 29:28, Besa menaxhoi me sukses aksionin e fundit të lojës, duke siguruar pikët e plota.
Në aspektin individual, Deniz Terziqi ishte kryegolashënuesi i ndeshjes për Besa Famgas me tetë gola të realizuar, i ndjekur nga Yassine Henahen me shtatë, si dhe Jon Muqolli e Oliver Rabek që kontribuan me nga katër gola secili.
Te skuadra e Kastriotit, më i dalluari në fushë u tregua Vuk Lakiçeviq me shtatë finalizime të suksesshme, ndërsa Eray Karakoç dhe Festim Mustafa shtuan nga gjashtë gola secili.
Kjo përballje mbylli siparin e xhiros së tretë në Superligën e Kosovës në hendboll. Me këtë fitore, e cila është e a treta me radhë, Besa Famgas ngjitet në krye të tabelës me gjashtë pikë të grumbulluara, ndërkohë që Kastrioti regjistron një fitore dhe një humbje në bilancin e deritanishëm.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: