Aktuale
Hartë e Onkologjisë: Këto janë qytetet e Kosovës me incidencë më të lartë të kancerit të mushkërive
Reklamë e Sponsorizuar
Specialistët e shëndetësisë kanë vënë në dukje se disa rajone në territorin e Kosovës shfaqin shifra më të larta të sëmundjeve malinje, ku në qendër të vëmendjes, veçanërisht për kancerin e mushkërive, janë vënë komunat si Obiliqi, Hani i Elezit dhe Mitrovica.
Në një intervistë për edicionin shëndetësor, drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Dr. Ilir Kurtishi, ka analizuar ndryshimet gjeografike të shfaqjes së sëmundjeve tumorale dhe elementët kyç që ndikojnë në zhvillimin e tyre. Duke u ndalur te Obiliqi, Hani i Elezit dhe Mitrovica, ai ka theksuar se faktorët mjedisorë dhe ndotja luajnë një rol që kërkon vëmendje të veçantë, duke sqaruar se sëmundjet onkologjike rrallëherë kanë vetëm një shkak të vetëm.
“Për shembull nga Obiliqi ose nga Hani i Elezit, kur kemi disa forma të rralla të kancerit të mushkërive, të cilët lajmërohen pak më shpesh, ose regjioni i Mitrovicës. Pastaj regjioni i Dukagjinit, te tumoret e mushkërive për shembull, shpesh tumoret të cilat lidhen me ndotje, e njëjtë edhe në Obiliq, në Hani i Elezit, format pak më të veçanta të këtyre sëmundjeve. Të mushkërive. Dhe janë pak më të shpeshta. E mushkërive vetëm ka raste kur janë edhe disa forma të tumoreve të elementeve të gjakut që lidhen me ndotës të ndryshëm të cilët mund të jenë faktorë ose provokatorë të këtyre sëmundjeve. Po gjithsesi faktorët etiologjikë të sëmundjeve, meqenëse sëmundja është multifaktoriale, ajo duhet të ndërlidhen shumë këta faktorë që bëhen bashkë, pastaj të shkaktojnë dëmtimin e qelizave dhe shfaqjen e një sëmundje.në Prishtinë dominon, meqenëse është numri më i madh i pacientëve që janë në Prishtinë, dominon sipas edhe incidencës së sëmundjeve malinje në Kosovë, pra dominon kanceri i gjirit te femrat dhe kanceri i mushkërive te meshkujt, dhe kjo lidhet së pari, fillimisht me abuzimin me duhan, meqenëse shumica e këtyre rasteve janë konsumatorë të duhanit kronik. Kanceri i gjirit apo i mushkërive? I mushkërive. Ose i gjirit në shumicën e rasteve sëmundja është pa faktor etiologjik, por raste të caktuara mund të jetë më e shpeshtë te personat të cilët bëjnë për shembull, ose bëjnë më pak aktivitet fizik, ose kanë një ushqim jo korrekt, jo adekuat. Përdorin disa substanca të cilat, siç janë kontraceptivët, ose femrat të cilat nuk kanë lindur, ose lindin vonë, nuk i mbajnë fëmijët në gji. Janë disa faktorë të ndryshëm të cilët ndikojnë në shfaqjen e një përqindjeje të caktuar të kancerit të gjirit. Dhe kjo është e njëjtë me vendet e rajonit, pra si shkaktarë ose faktorë të cilët mund të shkaktojnë dhe mund të sjellin te këto sëmundjet malinje të gjirit”, ka deklaruar Kurtishi.
Sipas kreut të Onkologjisë, ndotja e atmosferës, tymi industrial, kushtet e pasigurta në vendin e punës, ekspozimi ndaj agjentëve kimikë, si dhe predispozitat gjenetike dhe individuale, janë ndër shtytësit kryesorë të këtyre patologjive. Megjithatë, ai ka saktësuar se për të krijuar një lidhje shkencore mes një zonë gjeografike dhe prevalencës së kancerit, duhen hulumtime të thella epidemiologjike dhe statistika të plota.
Në rang vendi, kanceri i mushkërive vijon të mbetet ndër sfidat më të mëdha klinike dhe ndër diagnozat më të trajtuara në repartin e Onkologjisë. Përballë kësaj situate, mjeku ka përsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve për sensibilizim më të lartë ndaj rreziqeve dhe për t'i dhënë përparësi kontrolleve preventive për zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: