Politikë
Onkologu Ilir Kurtishi jep shifrat: Kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri në vend, çdo vit rreth 460 raste të jahta
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se kanceri i gjirit vazhdon të jetë sëmundja malinje dominuese te gratë, ndërsa te burrat prijnë tumoret e mushkërive.
Sipas specialistit, kanceri i gjirit përbën rreth 20 deri në 23 për qind të numrit total të rasteve të sëmundjeve malinje te të rriturit. Në nivel vjetor, në Kosovë regjistrohen afërsisht 450 deri në 460 raste të reja me kancer gjiri, një shifër kjo dukshëm më e ulët krahasuar me vendet fqinje si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, të cilat raportojnë shifra pothuajse dy herë më të larta.
Pas kësaj patologjie, te gjinia mashkullore dominojnë tumoret e mushkërive, ku statistikat mbeten pothuajse të njëjta me vitet e kaluara, duke shënuar vetëm luhatje të lehta prej 1 deri në 2 për qind gjatë kësaj periudhe.
Në listën e sëmundjeve më të shpeshta malinje renditen edhe çrregullimet e organeve gjenitale te gratë, ku veçohen kanceri i qafës së mitrës, i mitrës dhe i vezoreve, kurse te burrat grupi i dytë më i shprehur i sëmundjeve përfshin tumoret e zorrës së trashë, shpjegoi onkologu Kurtishi.
Duke analizuar tendencat e viteve të fundit, dr. Kurtishi theksoi se numri i personave të prekur nga sëmundjet malinje në Kosovë ka shënuar një stanjacion dhe nuk ka regjistruar ndonjë rritje shqetësuese krahasuar me periudhat e kaluara.
Klinika jonë trajton të gjitha llojet e tumoreve solide te të rriturit duke filluar nga mosha 18-vjeçare, ku çdo vit ofrohet kujdes shëndetësor për një numër të konsiderueshëm pacientësh. Lajmi pozitiv është se incidenca ka hyrë në një fazë ploje, duke ruajtur shifra të ngjashme me dy vitet paraprake.
Megjithatë, mjeku onkolog ka theksuar domosdoshmërinë e funksionalizimit të një programi nacional për menaxhimin dhe trajtimin e kancerit, teksa ka vlerësuar se sektori i onkologjisë ka hyrë në një fazë të re të modernizimit dhe efikasitetit.
Ndonëse ende mungojnë programet zyrtare të skriningut kombëtar, rastet e tumoreve po zbulohen në stade më të hershme falë avancimeve në metodat imazherike dhe histopatologjike. Kjo ka mundësuar një stadifikim më të saktë të sëmundjes, duke rritur suksesin e trajtimit dhe duke i siguruar pacientit një jetëshmëri më të gjatë dhe më cilësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: