Aktuale
Alarm për bombë dhe mesazhe nacionaliste serbe: Institucionet në Shqipëri marrin email kërcënues
Reklamë e Sponsorizuar
Disa institucione shtetërore në vend, mes të cilave edhe Shkolla e Magjistraturës, kanë qenë shënjestër e një mesazhi elektronik me përmbajtje kërcënuese gjatë ditës së sotme.
Sipas të dhënave paraprake, emaili ka mbërritur nga një adresë private e panjohur për sistemet zyrtare. Dërguesi, i cili është prezantuar si drejtues i një grupi paramilitar serb, ka lëshuar kërcënime direkte për jetën dhe ka paralajmëruar vendosjen e një eksplozivi brenda ambienteve institucionale, duke e kushtëzuar sigurinë me çështjen e statusit të Kosovës.
Në tekstin e mesazhit të frikshëm thuhet: “Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”. Gjithashtu, mesazhi përmbante edhe udhëzime për punonjësit që të tregojnë kujdes me skedarët dhe lidhjet e dyshimta.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimeve, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit janë vënë në lëvizje. Ato kanë nisur verifikimet e nevojshme në terren për të hetuar origjinën e mesazhit, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një alarm të rremë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: