Sport
Operacion në Itali: Vihet në pranga "krahu i djathtë" i Tarzanit të Elbasanit, i dënuar nga GJKKO
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet italiane kanë prangosur në qytetin e Astit 37-vjeçarin Aldo (Aleksandër) Baho, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare për akuzat e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal dhe përfshirje në një atentat të dështuar.
Operacioni i koduar "The Wanted" u finalizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar të Policisë së Shtetit dhe trupave të Guardia di Finanza në Pisa, duke çuar në kapjen e të kërkuarului.
Sipas dosjes hetimore, gjatë vitit 2022, Baho dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit për eliminimin me armë zjarri të shtetasit me inicialet L. M., ngjarje e cila mbeti në tentativë. Për këtë rast, më 29 shtator 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i pat caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra të rënda penale, përfshirë “Vrasjen e mbetur në tentativë, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale”.
Aleksandër Baho përbën një profil të njohur për agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri dhe Itali. Ai njihet publikisht si bashkëpunëtori i ngushtë dhe "krahu i djathtë" i Endrit Alibejt, i njohur ndryshe si “Tarzani”, i cili mbeti i vrarë së bashku me xhaxhain e tij dhe një shtetas turk gjatë ngjarjes së bujshme të njohur si masakra e Bradasheshit, e ndodhur në dhjetor të vitit 2018.
Vëllai i tij në armë, Baho, ka qenë vetë shënjestër e një atentati më 13 shkurt 2016 në Itali, ku mbeti i plagosur rëndë. Sipas burimeve, pasojat e kësaj ngjarjeje i kanë lënë atij aftësi të kufizuara shëndetësore. Gjithashtu, ai është shoqëruar më herët edhe nga Policia shqiptare nën dyshimet për lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë edhe krime kundër jetës.
Poliica e Shtetit ende nuk ka publikuar detaje shtesë mbi bashkëpunëtorët e tjerë të dyshuar në këtë strukturë kriminale për ngjarjet e vitit 2022, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse ky episod ka lidhje direkte me sagën e vjetër të konflikteve ku është lakuar emri i Bahos.
Në vijim të procedurave, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë ngushtë për të finalizuar ekstradimin e 37-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku ai do të ballafaqohet me drejtësinë për akuzat e ngritura nga GJKKO.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: