Aktuale
Skandali me Wizz Air në Barcelonë: Pasagjerët shqiptarë mbeten të bllokuar për dy ditë pas shitjes së tepërt të biletave
Reklamë e Sponsorizuar
Një situatë e pakëndshme dhe stresuese është krijuar për një grup udhëtarësh shqiptarë në aeroportin e Barcelonës, pasi janë përballur me bllokim dy-ditor, anulime fluturimesh dhe mungesë totale mbështetjeje nga ana e kompanisë ajrore Wizz Air.
Sipas dëshmive të udhëtarëve, kalvari i tyre nisi me fluturimin e paraparë për datën 3 tetor në orën 22:00. Nisja u shty fillimisht për në orën 03:00 të mëngjesit dhe më pas u anulua përfundimisht, me arsyetimin e kushteve atmosferike.
Pasi u detyruan të rikuperonin biletat përmes sistemit online të kompanisë për ditën e djeshme, me orar nisjeje në orën 12:30, udhëtarët menduan se kaluan pengesën e parë. Mirëpo, orari pësoi sërish ndryshime të njëpasnjëshme, fillimisht në orën 14:00 e më pas në 15:00, pasi operatori ajror po priste mbërritjen e ekuipazhit me një tjetër mjet fluturimi.
Kulmi i situatës u shënua në momentin e imbarkimit. Rreth 15 persona, pavarësisht se zotëronin bileta të vlefshme, mbetën jashtë kabinës për shkak të praktikës së shitjes së tepërt të vendeve, e njohur si "overbooking". Udhëtarët dëshmojnë se familje dhe çifte u ndanë padrejtësisht, ndërsa theksojnë se disponojnë prova e dokumentim vizual të ngjarjes.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Wizz Air janë arsyetuar se pasagjerët nuk janë paraqitur në kohë pranë portës së imbarkimit ("gate"), një pretendim që refuzohet me forcë nga qytetarët e prekur.
Udhëtarët shprehen të indinjuar pasi nuk kanë marrë asnjë dokument zyrtar për refuzimin e hyrjes në avion, as akomodim në hotel dhe as ndihmën minimale të parashikuar në këto raste. Për pasojë, ata janë detyruar të mbulojnë vetë shpenzimet e akomodimit në Barcelonë, të cilat për shkak të fundjavës kanë arritur shifrën e rreth 200 eurove për çdo natë qëndrimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: