Aktuale
Në vizitën e parë në Drenicë, Presidentja Justina Shiroka-Pula homazhe në Prekaz dhe te figurat e shquara të kombit
Reklamë e Sponsorizuar
Pas marrjes së detyrës zyrtare, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka ndërmarrë sot vizitën e saj të parë në rajonin e Drenicës. Ajo ka nisur agjendën duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit të shquar Adem Demaçi.
Gjatë qëndrimit në Prekaz, e para e shtetit ka shprehur respektin e thellë për sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Jashari dhe për trashëgiminë e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, ka deklaruar me këtë rast Presidentja.
Më pas, gjatë nderimeve pranë prehjes së fundit të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo ka vënë në pah mençurinë dhe drejtimin vizionar që ai i dha vendit në kohët më sfiduese të historisë moderne.
“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, ka nënvizuar Presidentja Shiroka Pula.
Ndërkaq, te varri i ikonës së rezistencës Adem Demaçi, ajo ka nderuar kontributin jetësor të tij, duke vlerësuar se ai ia kushtoi tërë jetën çështjes së lirisë dhe ruajtjes së dinjitetit të popullit të Kosovës.
“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo gjatë homazheve.
Në përmbyllje të kësaj vizite, Presidentja Shiroka Pula vuri në dukje se përulja para këtyre personaliteteve është njëkohësisht një reflektim mbi themelet e forta shtetërore të Kosovës, të cilat u ngritën mbi sakrificën, largpamësinë dhe qëndresën e palëkundur të brezave ndër vite.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: