Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Bujqit e Anadrinisë festojnë rendimentet e larta, por shqetësohen nga faturat e kripura të prodhimit

Redaksia Lajmetereja • 04-10-2026 20:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Bujqit e Anadrinisë festojnë rendimentet e larta, por shqetësohen nga faturat e kripura të prodhimit
Temperaturat përvëluese që dominuan gjatë muajve korrik dhe gusht lanë gjurmët e tyre te të korrat bujqësore, duke sjellë një rënie të lehtë të prodhimit, sidomos te perimet. Megjithatë, bujqit e rajonit të Anadrinisë, të cilët aktualisht po i dorëzojnë perimet e tyre – me në krye specin – në qendrën grumbulluese në Xërxë, shprehen përgjithësisht të kënaqur me sasinë e siguruar. Ndonëse sasia e prodhimit nuk përbën shqetësim, gjendja e tregut dhe kostot e larta të inputeve bujqësore kanë lënë shije të hidhur te punëtorët e tokës. Sipas tyre, çmimet e fidanëve, plehrave artificiale dhe veçanërisht të derivateve të naftës vazhdojnë të mbeten në nivele shumë të larta. “Janë bërë mirë, prodhim ka shumë, por me çmimin jo fort të kënaqshëm, sepse duhet me qenë më i mirë. Nafta ka qenë 1.74, plehun e kemi blerë 19, 20 euro, pastaj puna, pesticidet janë shtrenjtë e ne patjetër duhet me i spërkatë, sepse po lajmërohen sëmundje të ndryshme e duhet me u ndenjë gati, se kur të kujdeshesh është malli kështu siç është”, u shpreh fermeri Tefik Popaj. Një tjetër prodhues lokal, Shaban Morina, ndan mendim të ngjashëm lidhur me sfidat e këtij sezoni: “Për prodhim jemi të kënaqur, kemi 1 hektar e 30 ari speca, edhe grurë e të gjitha i mbjellim ngapak, po sivjet jemi dëmtuar pak se ka pasur të reshura në fund të korrikut. Çmimi i derivateve është shumë i lartë, po te Agrocelina e kemi mallin e garantuar, e bimë qe 15 vjet, kështu që jemi të kënaqur”. Nga ana tjetër, drejtuesit e qendrës grumbulluese ndajnë po ashtu vlerësime pozitive sa i takon ecurisë së eksportit dhe mbarëvajtjes së përgjithshme të sezonit të perimeve. “Muaji korrik dhe gushti kanë qenë muajt më të nxehtë, pra si sezon ka qenë e nxehtë, por rendimenti ka qenë i kënaqshëm dhe fermerët kanë qenë shumë të kënaqur me produktin e tyre dhe me çmimet. Tash ne po hyjmë në dekadën e tretë të eksportimit të prodhimit si qendër eksportuese, tani jemi në fazën finale ku deri kah mesi i muajit tetor sigurisht që ne do ta përfundojmë eksportin e prodhimeve tona dhe ky eksport përditë e më shumë po rritet”, theksoi Feim Rexhepi, menaxher i qendrës grumbulluese. Pavarësisht suksesit me eksportet, Rexhepi thekson se sfidat reale të fermerëve mbeten shpenzimet e mëdha për naftë, fara, herbicide dhe plehra, të cilave u shtohet edhe kriza e thelluar e mungesës së fuqisë punëtore, e cila po zvogëlohet ndjeshëm si pasojë e largimit të të rinjve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar