Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Hapat e Kosovës drejt BE-së: Mbi 400 milionë euro në dispozicion nga Plani i Rritjes dhe programet IPA

Redaksia Lajmetereja • 25-09-2026 18:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Hapat e Kosovës drejt BE-së: Mbi 400 milionë euro në dispozicion nga Plani i Rritjes dhe programet IPA
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, e cila u mbajt në cilësinë e Komitetit Drejtues për Planin e Rritjes. Gjatë këtij takimi u shqyrtua ecuria e përmbushjes së reformave, statusi i projekteve në fuqi, si dhe ecuria e programeve IPA. Kreu i ekzekutivit bëri të ditur se më 15 korrik, autoritetet e Kosovës i kanë dorëzuar zyrtarisht Komisionit Evropian raportin e parë mbi zbatimin e Agjendës së Reformave, së bashku me kërkesën për zhbllokimin e fondeve të para nga Plani i Rritjes. “Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te KE-ja 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153,3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian. Aktualisht, KE-ja është duke kryer vlerësimin e pas vlerësimit, Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi”, u shpreh kryeministri. Sipas njoftimit të tij, në fillim të javës së ardhshme, Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë tri marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare për programet IPA. Këto përfshijnë dy amendamente për projekte nga fondet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshjen Financiare IPA 2026-2027, përmes së cilës vendi llogarit të përfitojë 258 milionë euro. Kurti theksoi se duke kombinuar fondet e Planit të Rritjes dhe ato të programeve IPA, Kosova pritet të përfitojë mbi 400 milionë euro, të cilat do të mbështesin qeverisjen e mirë dhe reformat kyçe në rrugën drejt integrimit evropian. “Tani vëmendja duhet të jetë te zbatimi i 22 reformave që skadojnë në fund të dhjetorit sivjet, në vlerë prej 131,4 milionë euro në fonde të BE-së. Mbi një e treta e këtyre reformave apo saktësisht 8 sosh kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend. Bëhet fjalë për 10 projektligje që skadojnë më 31 dhjetor 2026. Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t'i miratojmë në qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projekt-ligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat më të shpejtë. Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humben”, deklaroi ai. Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti: E nderuara znj. Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, I nderuari z. Jeton Zulfaj, Kryenegociator i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinator Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Të nderuar ministra dhe zëvendësministra, Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, Kam kënaqësinë të hap mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian në funksionin e tij si Komiteti Drejtues për Planin e Rritjes, e në të cilin do të diskutojmë për ecurinë e zbatimit të reformave, për gjendjen e projekteve ekzistuese, si dhe të programeve IPA. Më 15 korrik i kemi dorëzuar Komisionit Evropian (KE) raportin e parë zyrtar për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes. Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te KE-ja 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153,3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian (BE). Aktualisht, KE-ja është duke kryer vlerësimin, e pas vlerësimit, Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi. Ndërkohë, në fillim të javës që vjen, Kuvendit do t'i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, e ku përfshihen dy amendamente për projektet nga IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare IPA 2026-2027.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar