Botë
Mburoja e re e Ukrainës: Inovacioni që pret lidhjet e dronëve në vijën e frontit
Reklamë e Sponsorizuar
Forcat ukrainase kanë nisur zbarkimin në fushëbetejë të një teknologjie inovative mbrojtëse, e cila synon neutralizimin e dronëve që orientohen përmes fibrave optikë, duke ndërprerë fizikisht kabllot e tyre të komandimit. Ky hap vjen në një kohë kur shtetet anembanë globit po intensifikojnë përpjekjet për të gjetur zgbidhje efektive ndaj kërcënimit në rritje të këtyre mjeteve ajrore.
Sistemi i quajtur Chaharnyk – që në shqip përkthehet “shkurre” – u prezantua për herë të parë në shtator dhe është ndërtuar posaçërisht për të shkëputur kabllot e hollë të fibrave optikë që përdoren për drejtimin e një numri të madh dronësh FPV. Ndryshe nga modelet tradicionale që komandohen me valë radioje, të cilat mund të pengohen përmes bllokuesve elektronikë, dronët me fibra optikë janë imunë ndaj këtyre ndërhyrjeve. Mjete të ngjashme janë shfaqur së fundmi edhe në konfliktin e Mianmarit, si dhe në sulme të rënda kundër ushtrisë izraelite, duke e detyruar Izraelin të kërkojë urgjentisht masa mbrojtëse.
Drejtuesi i kompanisë ukrainase “Logika Design Bureau”, e cila ka projektuar pajisjen Chaharnyk, konfirmoi se dhjetëra njësi të tilla janë shpërndarë së fundmi pranë vijës së frontit për trupat ukrainase. Për arsye sigurie, ai preferoi të mbetet anonim, duke shtuar se është ende herët për të dhënë statistika ose vlerësime zyrtare mbi suksesin e tyre praktik në luftë.
Në pamje të jashtme, Chaharnyk ngjan me një gardh blegtorie me një lartësi prej rreth 80 centimetrash. Sapo sensori i tij akustik dikton praninë e një mjeti fluturues afër, mekanizmi hyn në punë: motorët elektrikë vënë në lëvizje tela të pajisur me grepa të mprehtë ngjashëm me telat me gjemba, të vendosur në një hapësirë të caktuar për të kapur dhe prerë fijet. Edhe pse prodhuesi nuk ka zbuluar detaje teknike se si realizohet kjo fazë, kapja dhe prerja e kabllos shkëput menjëherë lidhjen direkte mes pilotit dhe dronit.
James Patton Rogers, bashkëdrejtues i Institutit “Future Threat Lab” në Kolegjin Mbretëror të Londrës, e ka pagëzuar pajisjen me epitetin “tela me gjemba inteligjentë”. Megjithatë, ai paralajmëron se sistemi mund të ndeshet me sfida serioze në terren luftarak, duke përfshirë rrezikun që vetë pajisja të kthehet në shënjestër goditjeje apo të pengojë lëvizjen e trupave ukrainase në varësi të pozicionimit.
Megjithatë, eksperti thekson se nëse pajisja vendoset me mençuri përgjatë frontit, pranë vendbanimeve apo objekteve strategjike ushtarake dhe kombinohet me mbrojtje të tjera, ajo mund të shërbejë si një mburojë e rëndësishme ndaj një rreziku që ende mbetet i pashmangshëm.
Gjatë demonstrimeve praktike, kabllot e dronëve sulmues FPV kapen nga grepat e pajisjes dhe tërhiqen drejt zonës prerëse. Kompania “Logika” pretendon se mekanizmi arrin të presë kabllot në 95% të rasteve.
Gjithsesi, ndërprerja e fijeve nuk sjell domosdoshmërisht shkatërrimin e menjëhershëm të dronit. Drejtuesi i kompanisë prodhuese shpjegoi se shumë dronë rusë FPV me fibra optikë janë të pajisur edhe me një sistem rezervë komunikimi me valë radioje. Nëse kablloja pritet, mjeti kalon automatikisht në këtë frekuencë alternative. Në atë moment, përfundoi ai, aktivizohen pajisjet e luftës elektronike në zonë dhe në pjesën më të madhe të rasteve droni rrëzohet dhe shpërthen.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: