Politikë
Ramadani kritikon opozitën: LDK dhe PDK ranë në grackën e Kurtit, vetëm AAK e kuptoi që në nisje
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka cilësuar si lëvizje të gabuar angazhimin e subjekteve opozitare në takimet e ftuara nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Gjatë ditëve të fundit, kreu i ekzekutivit zhvilloi takime të ndara me liderin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, këto bisedime nuk prodhuan asnjë akord rreth çështjes së presidentit dhe nismës për amandamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Duke komentuar këto zhvillime, Ramadani theksoi se është iluzore të mendohet se kreu i Qeverisë vepron me qëllime konstruktive.
"Në lojën e Kurtit kanë rënë fillimisht LDK, pastaj edhe PDK. Manovrim i tij. Manipulim i tij. Gabim kanë bërë të dyja. Aleanca qëndroi drejt! Është gabim të besohet se Kurti ka vullnet të mirë. Takimet nuk kanë qenë asnjëherë për marrëveshje. Takimet kanë qenë për blerje kohe dhe për fotografi," ka deklaruar ai.
Në këtë linjë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës theksoi se forca e tij politike ka qenë e vetmja që ka ditur të lexojë saktë strategjinë e kryeministrit.
"Që nga fillimi e deri në fund, Aleanca nuk u lëkund fare dhe e tha veç të vërtetën!", përfundoi reagimin e tij Ramadani.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: