Politikë
Kërcënimi me jetë trondit Obiliqin: Kryetari Halil Thaçi akuzon ish-drejtorin për shantazh dhe lidhje me drejtësinë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka ngritur alarmin se është vënë në shënjestër të një kërcënimi serioz me jetë, pas një vendimi administrativ që ka marrë ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit, Hajrullah Preniqi. Konflikti dyshohet se ka nisur pasi kreu i komunës e ka zhvendosur Preniqin nga pozita e drejtorit të Inspeksionit në atë të Drejtorisë së Emergjencave.
Thaçi ka sqaruar se ky ndryshim nuk ka prekur as pagën dhe as statusin e zyrtarit në fjalë, por se motivet lidhen ngushtë me ambiciet e Preniqit për t'u rikthyer në krye të Inspeksionit. Sipas kryetarit, përmes ndërmjetësve, atij i është përcjellë mesazhi se nuk do të lejohet më i gjallë në vendin e tij të punës nëse paraqitet në komunë.
Pas ngjarjes, Thaçi ka bërë të aformuar se e ka denoncuar menjëherë rastin në strukturat e rendit, ku çështja ka kaluar në duart e departamentit të krimeve të rënda. Megjithatë, ai ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj prokurorit të rastit, Paulin Pashku, duke pretenduar se ekzistojnë lidhje të afërta që po ngadalësojnë veprimet e menjëhershme ligjore dhe arrestimin e dyshuarit, pavarësisht ekzistencës së dëshmitarëve dhe provave të dorëzuara.
Duke e cilësuar Hajrullah Preniqin si një person me të kaluar problematike dhe recidivist të veprave penale, kryetari Thaçi ka ngritur dyshime për ndikim të mundshëm në sistemin e drejtësisë përmes lidhjeve familjare. Ai ka theksuar se nuk do të tërhiqet nga pozicioni i tij dhe se do të veprojë në përputhje të plotë me autoritetet ligjore.
Në krahun tjetër, ish-drejtori Hajrullah Preniqi ka hedhur poshtë me forcë të gjitha pretendimet e ngritura nga kreu i komunës. Duke i cilësuar akuzat si të pavërteta dhe si një formë shantazhi nga ana e Thaçit, ai ka mohuar çdo pretendim për kërcënim.
Për të zbardhur rrethanat e plota të këtij incidenti, redaksia jonë ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të marrë një qëndrim zyrtar, por deri në momentin e publikimit të këtij materiali nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: