Aktuale
A do të sjellë ndonjë rezultat ndryshimi i ligjit për Specialen? Ekspertët e fushës analizojnë situatën para afatit të 27 nëntorit
Reklamë e Sponsorizuar
Ndërsa dita-ditës po afrohet data 27 nëntor – afati i fundit i vendosur nga Trupi Gjykues i Apelit për dorëzimin e njoftimeve lidhur me ankesat ndaj vendimit për ish-krerët e UÇK-së – Partia Demokratike e Kosovës thekson se po ndërmerr çdo veprim të mundshëm për t'u dalë në krah atyre.
Zgjatja e afatit për njoftimin e apelit erdhi si pasojë e kërkesave të paraqitura nga ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Si argument kryesor u vlerësuan natyra e ndërlikuar e kësaj çështjeje penale dhe koha e domosdoshme për t'ia siguruar mbrojtjes dhe të akuzuarve përkthimin e plotë të aktgjykimit në gjuhën shqipe.
Në kuadër të angazhimeve të saj, PDK-ja ka ndërmarrë nismën për amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, e cila tashmë është në pritje të opinionit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë për të kaluar më pas për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Ekspertët e drejtësisë vlerësojnë se ndërhyrja ligjore është e realizueshme nga pikëpamja juridike, mirëpo mbeten mjaft rezervuarë nëse një hap i tillë mund të prodhojë efektivitet në kohën e mbetur në dispozicion.
“Absolutisht jam skeptike se kjo mund të realizohet, sepse ne mund t’i bëjmë qejf vetit, por duhet ta njohim legjislaturën se si funksionon. Tjetra është faktori kohë. Gjykata e Apelit mund ta bëjë të formës së prerë, mund ta rikthejë në rigjykim. Atëherë, në këtë rast, do të mund të fitojnë në kohë. Por nëse vendoset çka do që të jetë, është një kohë shumë e shkurtë që paraqet rrezik, prandaj duhet të përforcohet strategjia e mbrojtjes”, ka deklaruar avokatja Fehmije Gashi Bytyqi.
Në anën tjetër, politologu Mazllum Baraliu sugjeron që institucionet e shtetit duhet ta përcjellin me vëmendje të shtuar zhvillimet brenda Dhomave të Specializuara dhe të intensifikojnë veprimet në rrafshin diplomatik.
“Këtë s’mund ta ndal askush, sepse ajo është formalisht gjykatë e Kosovës, ndërsa në fakt është një surrogate e pashembullt në botë, po flas për Gjykatën Speciale. Duhet ta monitorojë vazhdimisht në mënyrë aktive edhe një trup tjetër, i përbërë nga Qeveria, Parlamenti dhe MPJ-ja, si një trup suigeneris, i cili do të lobonte në vazhdimësi deri në një vendim të shkallës së dytë dhe deri atëherë t’ia shpjegonte botës se me këtë vendim nuk mund të cënohen dhe nuk do të cënohen themelet e shtetit të Kosovës”, ka përmbyllur politologu Mazllum Baraliu.
Përkundër pyetjeve të drejtuara nga Gjykata Speciale lidhur me nismën e ndërmarrë nga PDK-ja për ndryshimin e ligjit, deri më tani nuk ka pasur ndonjë kthim përgjigje. Ndërkaq, deputetët e kësaj force politike kanë paralajmëruar bojkotimin e të gjitha komisioneve parlamentare, derisa çështja e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet zyrtarisht në Kuvend.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: