Aktuale
Arian Tahiri bën thirrje për unitet politik rreth Ligjit të Speciales dhe mbështetjes për ish-krerët në Hagë
Reklamë e Sponsorizuar
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur një takim ku në fokus ka qenë gjendja aktuale politike, pas vendimit të ekzekutivit për të mbështetur nismën për amendamentimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në fjalën e tij para se të fillonte mbledhja, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka përshëndetur qëndrimin e Qeverisë karshi kërkesës për ndryshimin e këtij kuadri ligjor.
“Është për t’u vlerësuar pozitivisht përgjigjja e Qeverisë dhe e të gjithëve. E kemi parë unitetin dhe reagimin e qytetarëve për ta kundërshtuar këtë padrejtësi historike”, ka deklaruar Tahiri.
Më tej, ai ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje që e gjithë skena politike në vend të bëhet bashkë rreth kësaj çështjeje të ndjeshme.
“Kemi kërkuar që edhe spektri politik të jetë i bashkuar. Secili veprim është i dobishëm”, u shpreh ai.
Duke folur për hapat e ardhshëm institucionalë, Tahiri ka shprehur pritjen e tij që komisioni përkatës të mblidhet shpejt dhe nisma ligjore të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
“Besoj se do të thirret Komisioni dhe ligji do të votohet. Për ne kryefjalë është që Ligji të votohet dhe të kalojë”, tha ai.
Në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, shefi i deputetëve të PDK-së vlerësoi se është i domosdoshëm një dakordim i gjerë politik për të siguruar stabilitetin e institucioneve të vendit.
“Patjetër që çështja e presidentit është që bashkërisht të ulemi dhe ta arrijmë konsensusin, të kemi institucione dhe institucionet ta kenë si prioritet kryesor mbështetjen e çlirimtarëve në Hagë”, përfundoi Tahiri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: